Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka komentuar deklaratën e Zëvendëskryeministrit Driton Selmanajt, për të pagjeturit nga lufta e fundit në Kosovë.
Hoti para gazetarëve tha se deklaratat e Selmanajt po shtrembërohen nga persona të caktuar dhe nëse një zyrtarë i qeverisë do t’i ofendonte familjarët e të pagjeturve, atëherë ai do të merrte masa.
“Tema e të pagjeturve është e para që diskutohet, krejt këto tregojnë se sa e përkushtuar është kjo qeveri dhe sa për zemër e merr çështjen e të pagjeturve. Deklaratat që i ka dhënë Selamanj, po shtrembërohen nga persona të caktuar, nëse do të kishte një element më të vogël në bindje të cilit do zyrtarë të qeverisë që do të binte ndesh me parimet ose në çfarëdo forme i bënë të ndihen keq familjarët e të pagjeturve, unë menjëherë do kërkoja falje dhe do të merrja masa”, tha Hoti.
Ai thotë se kërkon falje nëse dikush është ndier keq, mirëpo që e vërteta nuk qëndron ashtu.
“Nëse dikush nga ta është ndier keq, kërkoj falje, por e vërteta nuk qëndron ashtu siç është thënë publikisht”, tha Hoti.
Hoti po ashtu tha se tema e të pagjeturve është prioritet për këtë Qeveri.