Presidenti i Kosovës ose duhet të zgjedhet jashtë partnerëve të koalicionit, ose duhet të ulën bashkë partitë në pushtet dhe ato në opozitë për të caktuar datën e zgjedhjeve. Opsione tjera nuk ka.
Kështu ka thënë nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri.
Ai konfirmon se partnerët e koalicionit e kanë të pamundur që ta zgjedhin presidentin pa bashkëpunim me opozitën.
“Tani, ose duhet të zgjedhim një president përtej partnerëve të koalicionit, i cili i jep një mundësi, një lloj stabiliteti të përkohshëm institucional, ose duhet të vendosim bashkërisht pozitë e opozitë cila është data e zgjedhjeve, në mënyrë që të përgatitemi të gjithë në kohë pandemie për t’u përballur me një proces të vështirë zgjedhor. Nuk ka opsione tjera”, ka thënë Haziri.
Numri dy i LDK-së, thekson se ata janë të gatshëm dhe në rolin e tyre kanë ofruar konstruktivitet dhe kanë ofruar mundësinë politike që ata ta ndihmojnë krejt këtë proces, ta lehtësojnë deri te zgjidhja e pranueshme për të gjithë, gjithmonë përtej partnerëve të koalicionit.
“Por në shkallën e parë i bije partnerëve të koalicionit të dakordohen mes veti deri në detaje. A duan ta mbajnë këtë qeveri politikisht, ta zgjerojnë këtë qeveri nëse duan të krijojnë hapësirë përtej partnerëve të koalicionit, kush është kandidati për president që mund të zgjidhet dhe mund të jetë i pranueshëm për opozitën. Të gjitha çështjet që janë në interes të përbashkët”, shtoi Haziri.
Sipas deklaratave të Hazirit, kryetarit të AAK-së Ramush Haradinaj, duket se po i shuhet shpresa për t’u bërë president.
Haradinaj para me shumë se tre muaj është nominuar për kreun e shtetit nga partia e tij, AAK.
Postin e presidentit është përfolur shumë se mund ta marrë PDK-ja, në mënyrë që t’i bashkohet koalicionit qeverisës.
Por, Haziri thotë se ende nuk kanë asgjë zyrtare nga kjo parti dhe se kurdo që kanë do të ulën ta diskutojnë si LDK.
“Edhe me tutje kjo është në shkallën e spekulimeve që PDK mund ta marrë presidentin dhe mund të kuptohet në një konfigurim të Qeverisë me anëtarë të rinj të kabinetit. Unë po e quaj fazë të spekulimeve sepse nuk ka as plan i cili është në tavolinë ku palët bisedojnë bashkërisht”, tha Haziri.
Sipas tij, PDK ende janë në kampin opozitarë, edhe pas zhvillimeve të fundit, ku drejtimin e partisë e mori Enver Hoxhaj, pasi Kadri Veseli u dërgua në Hagë.
“Ata janë në opozitë, po sillen në kampin opozitar edhe më tutje dhe prej marrjes së detyrës së Hoxhajt si kryetar i PDK-së, janë të qartë në agjendën opozitare dhe natyrisht përderisa nuk kemi dialog aktiv në përfshirjen e bisedimeve politike e partiake të opozitës nuk e shoh që është se cilës i jep opsionit të stabilitetit politik”, thekson Haziri.
Ai shton se PDK mund ta mbështetë agjendën kombëtare në interes të Kosovës edhe pa qenë në Qeveri, edhe pa qenë në institucione.
“Tash është në interes politik ta definojë rolin dhe qëllimin politik edhe të partive opozitare, ose shkojmë drejt stabilitetit politik të përbashkët në këtë fazë të tranzicionit sado që është një vit, një vit e gjysmë apo dy, apo deri në fund të mandatit apo hyjmë në një cikël zgjedhor i cili prap nuk garanton që do të ketë zgjidhje të qëndrueshme dhe institucione stabile në vend”, shprehet Haziri.
Por thotë se brenda LDK-së ende nuk është diskutuar për përfshirjen e PDK-së në koalicion.
“Nuk mund të vlerësojmë asgjë mbi bazë hipotetike. Në momentin që e shohim një zbardhje të agjendës nga kampi opozitar LDK ulet e diskuton dhe del me qëndrim. Ne nuk vendosim asgjë mbi bazë të paragjykimeve dhe pritjeve të tjerëve. Ne si kryesi, si lidership ulemi dhe diskutojmë vetëm atëherë kur ta kemi agjendën e zbardhur dhe të qartë politike. Ende nuk kemi diskutuar asgjë për përfshirjen apo mos përfshirjen e askujt në Qeveri”, theksoi nënkryetari Haziri.
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka folur edhe për aktakuzat që iu kanë konfirmuar ish krerëve të UÇK-së, duke thënë se prej burrështetasve e ndihmuan vendin ta menaxhojë një situatë ku kriza mund të thellohej.
“Kriza e paralajmëruar në verë të këtij viti lidhur me konfirmimin e aktakuzave e cila në fakt u konfirmua në nëntor tregoi qartë se kur ka vullnet mund të menaxhohen situatat edhe të rënda. Në fazën e parë sjellja prej burrshtetasve e njerëzve që u ftuan me aktakuzë të konfirmuar ka bërë që kriza të mos thellohet. Ata dhanë dorëheqje, u larguan nga pozitat publike dhe iu nënshtruan urdhëresës nga Dhomat e Specializuara”, tha Haziri.
Por, ka pasur një kritikë për spektrin politik në vend, duke thënë se po mungon hapi tjetër, ai i dialogut aktiv për vendosjen e një stabiliteti afatgjatë.
“E dyta, hapi i dytë po mungon një dialog aktiv, intenziv në gjetjen e një mënyre se si duhet ta vendosim një stabilitet më afatgjatë, një qëndrueshmëri institucionale më afatgjate në Kosovë, e cila do t’i jepte mundësi vendit të fokusohet në problemet e brendshme ekonomike, sociale dhe zgjidhjen e problemeve të mëdha, siç është dialogu me Serbinë, integrimet evropiane dhe anëtarësimi në NATO. Sepse kur nuk ka stabilitet politik mungon investimi, mungon fokusi dhe fokusimi i politikës në zgjidhjen e problemeve dhe punohet në bazë ditore, sot për nesër”, përfundoi Haziri.
Presidenti i ri, pas dorëheqjes së ish-presidentit Hashim Thaçi duhet të zgjedhjet brenda gjashtë muajve, ndryshe vendi shkon në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Partitë politike ende nuk kanë nisur diskutimet nëse do të vendosin ta votojnë një emër nga ndonjëra parti politike, apo do të shkojnë në zgjedhje. E vetmja që ka deklaruar se do zgjedhje, e jo president të ri me këtë koalicion qeverisës, është Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit.