Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja për Bashkim kanë nënshkruar sot marrëveshje koalicioni për zgjedhjet nacionale që do të mbahen me 6 tetor 2019, shkruan Telegrafi.
Sipas kësaj marrëveshje, kandidatët për deputetë nga Lëvizja për Bashkim do të jenë pjesë e përbashkët e një liste me kandidatët për deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës.
Në njoftimin e bërë për media thuhet se, kjo marrëveshje është rezultat i një bashkëpunimi tradicional në mes të dy subjekteve politike.
“Partia Demokratike e Kosovës vlerëson lartë kontributin që Lëvizja për Bashkim ka dhënë në të kaluarën në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në Qeverinë e Kosovës por edhe në institucione të tjera qendrore dhe lokale. Në Qeverinë e ardhshme të udhëhequr nga kryeministri Kadri Veseli, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja për Bashkim do të jenë partnerë në luftën kundër korrupsionit dhe në angazhimet e tjera për të ardhmen e Kosovës”, thuhet në njoftimin e bërë nga PDK.
Kujtojmë se zgjedhjet e parakohshme parlamentare pritet të mbahen me 6 tetor. Organizimi i këtyre zgjedhjeve buxhetit të Kosovës pritet t’i kushtojë afro 6 milionë euro./Gazeta Mejdani/
Discussion about this post