Në një moment, Serbia do të duhet të njohë Kosovën. Në një moment, Presidenti Aleksandar Vuçiç, kishte forcën për një vendim të tillë, por ai e humbi atë moment. Sidoqoftë, ai e di se ky është çelësi i rrugës së Serbisë drejt Bashkimit Evropian, tha Carl Bildt në një intervistë.
Ish-Përfaqësuesi i parë i Lartë në Bosnjë, ish-ministri i Jashtëm i Suedisë, dikur një zyrtar i shquar i bashkësisë ndërkombëtare që ndërmjetësoi në një numër situatash krize në botë, sot ndodhet në “ujëra më të qeta”. Ai aktualisht është, ndër të tjera, bashkëkryetar i Këshillit Evropian për Marrëdhëniet e Jashtme, një institucion mendimi me ndikim në politikën e jashtme.
Në intervistë, ai vlerësoi se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara më në fund kanë filluar të punojnë së bashku, por ai është i mendimit se perspektiva evropiane e këtij rajoni nuk ka qenë kurrë më larg.
“Do të doja që SHBA dhe BE të punonin edhe më ngushtë. Kam përshtypjen se Shtetet e Bashkuara janë më të interesuara për çështje që lidhen me Izraelin dhe Kinën, si dhe me dialogun Kosovë-Serbi. Por shpresoj se kjo do të ndryshojë dhe se ata do të mbështesin dialogun e BE më shumë, siç bënin më pare”, tha ai.
Bild kujton se perspektiva e BE varet nga rrjedha e reformave në secilin prej vendeve. Ai shprehu shpresën se udhëheqësit rajonalë do të kuptonin urgjencën e nevojës për të ecur përpara, veçanërisht duke pasur parasysh faktin që të rinjtë po largohen, gjë që duhet të jetë një thirrje zgjimi.
Ai iu referua dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar se ideja e shkëmbimit të territoreve do të ishte një devijim i rrezikshëm. Por tani, veçanërisht kjo udhë e BE-së duhet të marrë përshpejtimin dhe të fillojë të ecë përpara.
“Eshtë e nevojshme të zbatohet ajo që tashmë (shumë kohë më parë) është rënë dakord dhe nuk është realizuar kurrë. Shumë nga ato u përsëritën në dokumentet që u krijuan pas takimit në Uashington”, shtoi Bildt.