Marrëveshja politike dhe ekonomike e nënshkruar nga Kosova dhe Serbia me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, po mbështetet nga Oda Ekonomike e Kosovës.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka thënë se është e rëndësishme që pikat që janë futur në marrëveshje kanë marrë zotimin e institucioneve me të fuqishme financiare amerikane e që Kosovën do ta shndërrojnë në vend të rëndësishëm sa i përket transportit ndërkombëtar.
“Nuk dua t’i komentoj në aspektin politik, pasi nuk është çështje e jona, por sa i përket pikave që janë futur aty është me rëndësi që ka një zotim të institucioneve më të fuqishme financiare amerikane për me përkrah disa projekte që janë të rëndësisë strategjike e që besoj që Kosovën e shndërrojnë në një vend të rëndësishëm sa i përket transportit ndërkombëtar dhe sa i përket transitit ndërkombëtar dhe këto projekte kryesisht janë projekte të rrugëve dhe hekurudhave dhe në këtë drejtim ne i përkrahim”, tha Rukqi.
Po ashtu Rukqi në konferencën për media, tha se mini-shengeni që është një nga pikat e marrëveshjes që nënshkroi kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksadar Vuçiq, nuk ka asnjë dëme ekonomik për Kosovën.
“Në aspektin politik nuk e komentoj, por në aspektin ekonomik Kosova nuk ka asnjë dëm nga minishengeni. Pse e them këtë sepse Kosova realisht është në mini-shengen për hapjen që ka ndaj vendeve. Na nuk i bëjmë problem askujt, ne kem problem me tjerët dhe mini-shengeni mundet me na eleminu problemet që kemi me vendet tjera. Emërtimi është problematik por në aspektin e përmbajtjes Kosova nuk e ka asnjë dëm ekonomik nga mini-shengeni”, tha Rukiqi.
Veç marrëveshjeve Rukiqi në konferencë për media foli ka folur edhe për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve nga Qeveria e Kosovës si masë mbrojtëse ndaj COVID-19.
Për çka ai tha se do të kërkojnë nga qeveria zgjatjen e orarit të lëvizjes apo edhe heqjen e këtij orari, meqë tha se nga kjo po dëmtohen bizneset por edhe punëtorët që punojnë në ndërrime.
“Sa i përket masave ne kërkojmë që të rishikohet vendimi i qeverisë për orarin. Tash është bërë humor me këtë s’po del virusi pas orës 22:30. Pritet një rritje e qarkullimit dhe një nevojë e qarkullimit edhe më vonë se 22:30, shumë shërbime kryhen pas kësaj ore dhe ne kërkojmë që orari i lëvizjes së qytetarëve të jetë deri në 00:00 apo edhe të eliminohet ky kufizim dhe në të njëjtën kohë iu mundësohet bizneseve të punojnë lirshëm për shkak se shumë prej tyre po ballafaqohen me dënime. Shumë biznese punojnë me tre ndërrime dhe punëtorët ballafaqohen me dënime goxha ë mëdha dhe këtë jemi munduar me e sqaru me MTI por ka pastaj një mos koordinim institucional e që duhet me u rregullu që këto biznese mos me u dënu”, potencoi ai.
E Rukiqi tha se do të punojnë edhe me sektorin e gastronomisë për të bërë sa më shumë kujdes dhe rregull gjatë muajve të vjeshtës dhe dimrit.
“Do të punojmë me sektorin e gastronomisë dhe ta përgatisim që të ketë sa më shumë kujdes dhe rregull gjatë muajve të vjeshtës dhe dimrit, sepse ende nuk dihet se si do të jetë menaxhimi këta muaj, duke ditur se mund të ketë përkeqësim të gjendjes në menaxhimin e shëndetit publik dhe duke dit që ka rrezikshmëri nga puna dhe hapësira vende hapësirave të mbyllura. Jemi në diskutime me OBSH dhe shumë shpejt me IKSHPK që të fillojmë një program vetëdijesimi dhe program aktiv të implementimit të masave sidomos në sektorë që janë n rrezikshmëri për shkak se puna do të jetë më komplekse këtë vjeshtë dhe dimër”, tha mes tjerash Rukiqi.
Ndërsa, sot ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj bashkë me komitetin për koordinimin dhe vlerësimin e situatës emergjente me COVID-19 mbajti takim, ku diskutuan për lirimin apo shtrëngimin e masave.
Pas takimit, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj para gazetarëve tha se edhe përkundër kërkesave për lehtësimin e masave një gjë e tillë nuk do të ndodhë, meqë siç theksoi ai është në fazë delikate për çka duhet të ulet edhe më tej lakorja e rasteve të të infektuarve dhe rasteve e vdekjeve.