Izraeli është shteti më i fundit që ka njohur realitetin e ri në Ballkan – pavarësinë e Kosovës.
Kjo ka ardhur pas normalizimit të marrëdhënieve ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë, ku zyrtarët e të dyja shteteve kanë nënshkruar një marrëveshje në zyrën ovale të Shtëpisë së Bardhë, ku ishte prezent edhe presidenti i SHBA-së, Donald Trump, transmeton Telegrafi.
Menjëherë pas kësaj, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka pas një bisedë video-konferencë me kryeministrin izraelit.
Netanyahu tha pas bisedës se Kosova do të jetë, “Vendi i parë me një shumicë myslimane që do të hap ambasadë në Jeruzalem. Siç kam thënë në ditët e fundit, rrethi i paqes dhe njohjes së Izraelit po zgjerohet dhe kombet e tjera pritet të bashkohen me të”, shkruan haaretz.
Para takimit me udhëheqësit e Serbisë dhe Kosovës, të cilët diskutuan për normalizimin e marrëdhënieve në Uashington, Trump njoftoi se Serbia ishte zotuar të zhvendoste ambasadën në Jeruzalem dhe se Kosova dhe Izraeli kishin rënë dakord të krijonin marrëdhënie diplomatike, transmeton Telegrafi.
Presidenti amerikan tha të premten se Kosova, një vend me një “shumicë myslimane”, ka rënë dakord të vendosë “lidhje diplomatike” me shtetin hebre, shtoi presidenti i SHBA-ve.
“Bravo! Ju do të ndiqeni nga vendet e tjera myslimane dhe arabe”, shkroi ai në Twitter, duke theksuar se është “një ditë tjetër e madhe për paqen në Lindjen e Mesme”.
Delegacionet e Beogradit dhe Prishtinës u takuan në Uashington të enjten dhe të premten për të vazhduar dialogun mbi normalizimin e marrëdhënieve.
Bisedimet dy-ditore në Shtëpinë e Bardhë janë pritur nga Richard Grenell, i dërguari special i presidentit amerikan për negociatat Kosovë-Serbi dhe Robert O’Brien, këshilltar i sigurimit kombëtar.