(Një ravijëzim i fakteve historike, sipas historiografisë së Shqipërisë)
Shkruan: Genc Çurgu
Më 1185 normanët sulmuan dhe u morën bizantinëve një pjesë të bregdetit dhe qytetin e Durrësit. Perandori bizantin i sulmoi normanët, të cilët u thyen dhe u tërhoqën në Siqeli. Më 1205 Venediku pushtoi Durrësin dhe krijoi Dukatin e Durrësit, pushtoi Vlorën, Kaninën, Jerikonë dhe Korfuzin.
Despoti bizantin i Epirit e ripushtoi Durrësin në luftë kundër venedikasve dhe u shtri deri në Shkodër. Më 1216-1253 Arbëria u shkel disa herë prej Despotatit të Epirit, Perandorisë Bizantine të Nikesë dhe Mbretërisë Bullgare, që ishin në luftë me njera-tjetrën. Më 1213 Mihali i shkëputi Venedikut qytetin e Durrësit dhe Korfuzin. Më 1215 në luftë kundër serbëve u mori serbëve Shkodrën. Më 1217 Perandori latin i Bizantit u përpoq të merrte Durrësin nga despoti bizantin, por nuk ia arriti. Ndërkohë, despoti bizantin, Theodhori (i Epirit) luftoi kundër bullgarëve dhe pushtoi Ohrin, Prilepin, Shkupin, Prizrenin dhe Pelaqoninë (Manastirin).
Më 1230 bullgarët në luftë me Bizantin kapën rob Theodhorin dhe i rimorën tokat në Shqipëri. Më 1257 dhe 1258 feudal vendas të Arbërisë bashkohen me despotin bizantin të Epirit kundër forcave të Perandorisë së Nikesë. Despoti bizantin Mihali II i pushtoi viset që shtriheshin deri në Prilep dhe Vardar. Perandori bizantin, Mihali III Paleologu, grumbulloi forca të reja kundër Epirit. Serbët e shfrytëzuan gjendjen e vështirë të Epirit dhe u shtrinë deri në Dibër.
Mbreti Manfred i Italisë së Jugut pushtoi Sopotin (Borshin), Butrintin dhe Korfuzin. U martua me vajzën e despotit të Epirit dhe mori prikë edhe Durrësin, Spinarisën, Beratin dhe Vlorën. Më 1259 forcat e Mihalit II të Epirit u thyen nga ushtria nikeane. Epiri dhe Arbëria ranë sërish nën sundimin e Nikesë. Më 1261 despoti i Epirit e pranoi vasalitetin ndaj Kostandinopojës. Më 1266 Karli i anzhuinëve e mundi Manfredin dhe pushtoi Korfuzin, Kaninën dhe Vlorën. Në marrëveshje me despotin bizantin të Epirit, Karli I anzhuin e shtriu sundimin edhe në Himarë, Sopot dhe Butrint. Brenda një viti, më 1285-1286, Perandori i Bizantit, Androniku II Paleologu ripushtoi Vlorën, Krujën dhe Durrësin.
Më 1286 anzhuinët u larguan nga Shqipëria. Tokat shqiptare ranë përsëri nën sundimin bizantin. Pasi u larguan anzhuinët, shteti serb rimori tokat e Arbërisë duke ripushtuar edhe Durrësin. Këto luftëra morën fund përkohësisht me marrëveshjen që u bë më 1299 midis perandorit bizantin dhe mbretit serb, sipas së cilës kufiri ndërmjet Serbisë dhe Bizantit u caktua në lumin Shkumbin. Më 1301 bizantinët e rimorën Durrësin nga serbët. Më 1304 Durrësin e rimorën anzhuinët. Më 1319 filluan luftimet ndërmjet serbëve dhe anzhuinëve. Shteti serb ripushtoi Durrësin.
Më 1333 Durrësin e ripushtuan anzhuinët. Më 1334 serbët rimorën Krujën. Më 1345 morën Beratin dhe më 1347, me pushtimin e Vlorës dhe Kaninës, sundimi bizantin në Shqipëri i vendosur 9 shekuj e gjysmë më parë, mori fund përgjithmonë. Në mes të shek XIV serbët i dhanë fund sundimit bizantin në Shqipëri. Me vdekjen e car Dushanit (1355) Perandoria Serbe u përfshi në rivalitete dhe konflikte të brendshme që çuan në rënimin e saj.Pas gjithë sa më sipër, tek “E pafilozofuara” (botime “Zenit”, Tiranë, 2011, fq. 120), prof. Hysamedin Feraj pyet me të drejtë:“Ku janë shqiptarët në këtë histori?
Ata janë aty dhe nuk janë askund si të tillë. Janë aty, po pa qenë vetja. Të përfshirë e të përthithur brenda ushtrive bizantine, anzhuine, bullgare, serbe, venedikase, përhumbur në luftërat mes të tjerëve. Shqiptarët vriten e derdhin gjak bashkë me ta, dhe për secilin prej tyre, që u premton ndonjë përfitim si tituj (strateg, arhond, kont, princ…), poste të vogla në pushtet ose/dhe pasuri. Janë aty si trupa, si nevojë, por jo si të tillë, shqiptarë dhe që bëjnë një histori të shqiptarëve. Ata janë në histori, por nuk kanë histori si të tillë…”
[Permbledhur nga: Namir Lapardhaja]
Aty ishin diku por shqiptar nuk ishin: “Ishte Perandoria Osmane ajo qe na krijoj ne”. [Eqrem Bej Vlora]