Nt: Për shumë vjet zyrtarët ndërkombëtarë që shpesh kanë mendime shumë negative për politikanët e Kosovës, kanë pohuar se “duam t’i ndihmojmë qytetarët e Kosovës e jo politikanët”. Por nga ana tjetër, me veprimet e tyre kanë bërë të kundrtën. Politikanët e Kosovës janë dëshmuar deri më tash më të zgjuar sesa “partnerët ndërkombëtarë”.
Shkruan: Augustin Palokaj
“E dimë se ata nuk janë aspak çuna të mirë. Por duhet të punojmë me ta”, është një thënie e cila është përmendur shumë shpesh në biseda private të zyrtarëve ndërkombëtarë kur kanë diskutuar për veprimet e tyre të përbashkëta në Kosovë. Që nga periudha e pasluftës e deri më sot vazhdon të përsëritet shpesh ky narrativ, natyrisht jo në mënyrë publike. Kështu është krijuar një ndërvarësi. Për të ruajtur sadopak paqen dhe një lloj stabiliteti politik, zyrtarët ndërkombëtarë kanë ndihmuar që të forcohen liderët politikë në Kosovë, për të cilët nuk kanë pasur mendime të mira. E në anën tjetër, duke e ditur këtë, edhe liderët politikë të Kosovës i kanë shfrytëzuar mbështetjet ndërkombëtare për të forcuar pozitat e tyre brenda Kosovës. Kjo u ka krijuar edhe justifikime të dyja palëve. Kur janë kritikuar se pse po i mbështesin strukturat e korruptuara politike në Kosovë, zyrtarët ndërkombëtarë ua kanë hedhur fajin qytetarëve të Kosovës, duke thënë se “ata janë të zgjedhur nga qytetarët” dhe se “nuk i takon dikujt nga jashtë që t’ua imponojë qytetarëve udhëheqjen e tyre”. Ndërsa në anën tjetër liderët politikë kanë shfrytëzuar mundësinë që të fshihen prapa “miqve ndërkombëtarë” sa herë që ishin të kritikuar për veprimet e tyre dhe sa herë që në Kosovë lëkundej pozita e tyre.
Sikur korrupsioni, krimi i organizuar, nepotizmi, keqpërdorimi i detyrës të ishin viruse, atëherë establishmenti politik nga Kosova pa dyshim se ka krijuar një “imunitet kolektiv”. Ky virus nuk u ka bërë, nuk i bën dhe as që do t’ua bëjë shpejt ndonjë dëm. Janë shumë rezistues, dhe kur ka nevojë bëhen edhe bashkë, vetëm për të ruajtur postet dhe privilegjet. E ato janë të mëdha. Është vështirë të gjesh ndonjë shtet në Evropë ku diskrepanca mes standardit mesatar të qytetarëve dhe atij të politikanëve të jetë aq e madhe.
Jo rrallë “miqtë e Kosovës” kanë dilema se si ta ndihmojnë Kosovën, që ndihmat të shkojnë tek qytetarët, e të mos shihen se janë duke ndihmuar politikanët e Kosovës. Por kjo dilemë, ndonëse ekziston në kokat dhe në ndjenjat e tyre, nëse gjykojmë nga veprimet, duket sikur dyfytyrësi. Nga njëra anë në raportet vjetore nuk e kursejnë Kosovën nga kritikat më të ashpra për korrupsion, krim të organizuar dhe mungesë të vullnetit për t’i luftuar këto dukuri. Nga ana tjetër pikërisht ata të cilët e kanë sjellë dhe e mbajnë Kosovën në këtë gjendje janë partnerët e tyre kryesorë.
Për vite fajin e madh e ka pasur Bashkimi Evropian. Me miliarda euro ka investuar në ndihmë Kosovës, si në rindërtim ashtu edhe në mbështetje për forcimin e institucioneve, pastaj edhe në praninë e tij në Kosovë përmes EULEX-it. Por as pas gjithë këtij investimi nuk ka qenë e mundur që Kosova të largohet nga përshkrimi si “vend me korrupsion shumë të përhapur” dhe madje të avancojë edhe në radhën e vendeve me elemente të “kapjes së shtetit”. Por kur nga BE-ja është kërkuar që të bëjë më shumë për të identifikuar dhe luftuar rastet e krimit dhe korrupsionit në nivel të lartë, përgjigjja ka qenë se “ne flasim për fenomene e jo për raste të veçanta”. Më i sinqerti ishte dikur komisari për Zgjerim, Jihanes Hahn, i cili duke iu referuar të gjitha vendeve të rajonit, ka thënë se “nëse mendoni se ne duhet të vijmë dhe t’ua caktojmë se kush do t’ju qeverisë, atëherë e keni kuptuar gabimisht rolin tonë”.
Pra, BE-ja është kufizuar gjithmonë në raportime, vlerësime dhe kërkesa verbale, e jo në veprime. Liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe ata të Kosovës, nuk kanë pasur ndonjë arsye të shqetësohen shumë për shkak të kritikave nga BE-ja. Kanë mundur t’i quajnë ato vetëm si “perceptime” dhe t’i hedhin poshtë apo t’i relativizojnë problemet.
Për shumë vjet zyrtarët ndërkombëtarë, që shpesh kanë mendime shumë negative për politikanët e Kosovës, kanë pohuar se “duan t’u ndihmojnë qytetarëve të Kosovës e jo politikanëve”. Por nga ana tjetër me veprimet e tyre kanë bërë të kundërtën. Politikanët e Kosovës janë dëshmuar deri më tash më të zgjuar sesa “partnerët ndërkombëtarë”. Jeta e tyre në pushtet i ka tejkaluar shumë gjenerata të politikanëve në BE dhe SHBA. Politikanët në Kosovë vështirë të jenë “kalimtarë” siç janë në vendet e tjera. Pa marrë parasysh dështimet, mashtrimet, papërgjegjësinë, ata gjejnë mënyra të jenë në pushtet, apo aty diku rreth pushtetit. Pozitën e tyre në Kosovë e shohin më shumë të rëndësishme sesa pozitën e Kosovës në skenën ndërkombëtare. Për hir të pozitës së tyre, që sigurohet edhe me mbështetje ndërkombëtare, janë të gatshëm të bëjnë kompromise të rënda si pranim që të mos kërkohet njohje, anëtarësim në organizata ndërkombëtare, e drejt në reciprocitet. Njollosje të emrit zyrtar të shtetit.
Dhe bashkësia ndërkombëtare i shpërblen. Mjafton një vizitë dhe një foto me ndonjë udhëheqës politikë të nivelit të lartë. Ato foto kanë fuqinë shumëfish më të madhe sesa qindra rreshta të shkruara në raporte për korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ato foto dërgojnë porosi tek qytetarët se këta liderë janë të fortë, kanë lidhje të forta, dhe në këtë mënyrë rritet imunitetit i tyre.
në fund janë qytetarët ata që dënohen. Nuk ka shembull më të mirë sesa liberalizimi i vizave. Pak ka politikanë të Kosovës të cilët kanë nevojë personale për liberalizim vizash. Sepse shumë prej tyre kanë pasaporta të Shqipërisë, apo të Serbisë me të cilat në BE mund të udhëtojnë pa viza. Ata që nuk kanë e kanë të lehtë të marrin vizat. Liberalizimi i vizave u duhet më shumë si një trofe politik të cilin mund ta shfrytëzojnë për ta rritur mbështetjen tek votuesit. Prandaj në Kosovë në dhjetë vjetët e fundit është bërë më shumë garë se “kush do na e sigurojë liberalizimin e vizave” sesa në përmbushjen e kritereve për liberalizim dhe në lobim tek shtetet që në fund duhet të vendosin për këtë. Dhe BE-ja vazhdon ta ketë të njëjtën sjellje. T’i dënojë qytetarët për veprimet, apo mosveprimet e politikanëve (këtu pa asnjë rezervë kund t’i përfshijmë dhe prokurorët, gjykatësit, drejtorët e agjencive dhe ndërmarrjeve publike, me ndonjë përjashtim), sepse vetëm qytetarët vuajnë nga pasojat./Koha net/