Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, thotë se bashkë me kryetarin e Qeverisë, Avdullah Hotin, do të koordinohen për të mbajtur një takim me partnerët e koalicionit, Ramush Haradinajn dhe Fatmir Limajn.
Në këtë takim, ish-kryeministri thotë se do të diskutojnë për atë se si po u ecë bashkëqeverisja, derisa ka lënë të kuptohet se nuk do të flitet për punën e presidentit, meqë thotë se pozita e të parit të shtetit s’është e përfshirë në kontratën e bashkëqeverisjes e s’ka qenë temë as brenda organeve të LDK-së.
“Do ta koordinojmë me Kryeministrin Hoti takimin me z. Haradinaj dhe z. Limaj, të diskutojmë për mbarëvajtjen e koalicionit”, ka thënë kreu i LDK-së.
Në një përgjigje për Express, Mustafa ka thënë se puna e zgjedhjes së presidentit është një punë e ndërlikuar e cila mund të hapet më herët për diskutim vetëm në rast se Hashim Thaçit do t’i duhet ta le karrigen e të parit të shtetit shkaku i Gjykatës Speciale, në të kundërtën do të pritet deri në afrimin e përfundimit të mandatit Kushtetues të Thaçit.
“Çështjen e Presidentit nuk e kemi pjesë të marrëveshjes së koalicionit qeverisës. Është një çështje komplekse, e cila hapet në rrethana të sfidimit me mandatin kushtetues. Këtë çështje nuk e kemi diskutuar as në organet e LDK-së”, ka shtuar ish-kryeministri.
Shtuar kësaj, Mustafa thotë se për zgjedhjen e presidentit duhet diskutuar me të gjitha partitë parlamentare në vend, meqë për zgjedhjen e të parit të shtetit, në dy votimet e para duhen 2/3 e votave të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
“Duhet të flitet me të gjitha partitë parlamentare, sepse zgjedhja e Presidentit kërkon votat e 2/3 të deputetëve dhe vetëm në raundin e tretë mund të bëhet me 61 vota, por me kusht që në votim marrin pjesë 2/3, pra 80 deputetë”, ka theksuar lideri i LDK-së.
Në këtë përgjigje për Express, Mustafa ka folur edhe rreth idesë së nënkryetarit të LDK’së, Lutfi Hazirit, shkëmbimin e Leposaviqit me 17 fshatra me Luginën e Preshevës.
Kreu i LDK-së thotë se punën e paprekshmërisë së kufijve të Kosovës e kanë sqaruar edhe më Platformën Politike për Dialogun, dhe thotë se një qëndrim të tillë kryeministri Hoti e ndjek kudo që ulet me Serbinë në tavolinë, Washington apo Bruksel.
“Sa i përket çështjes së kufirit, qëndrimi i qartë i LDK-së i konfirmuar edhe në Platformën Politike për Dialog, aprovuar në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së është se nuk ka ndryshim të kufijve dhe shkëmbim të territorit me Serbinë. Vetëm këtë qëndrim e ndjek Kryeministri Hoti në dialog me Serbinë në Washington dhe në Bruksel”, ka përfunduar kryetari i LDK-së, Isa Mustafa