Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se situata epidemiologjike në Kosovë është e rëndë ku numri i rasteve nuk po bie dhe numri i rasteve të vdekjeve është i lartë.
Hoti ka shkruar se masat kufizuese duhet detyrimisht të respektohen nga të gjithë, sipas tij mjekët, policia, inspekcioni janë 24 orë në shërbim pa pushim për të shpëtuar jetë duke rrezikuar jetën e tyre përballë COVID-19.
Ai ka shtuar se beteja me pandemi COVID-19 nuk fitohet vetëm nga mjekët, infermierët, policët e inspektorati por është betejë e të gjithëve.
“Situata epidemiologjike në Kosovë është e rëndë. Numri i rasteve të infektuara mbetet i lartë, rastet e vdekjeve janë të shumta dhe të dhembshme. Masat kufizuese DUHET të respektohen DETYRIMISHT. Inspektorati dhe policia janë në shërbim 24 orë pa pushim. Mjekët, infermierët dhe stafi mbështetës janë të sfilitur, por në ballë të detyrës dhe në rrezik permanent për jetën e tyre”, ka shkruar Hoti.
“Megjithatë, beteja me këtë pandemi nuk fitohet vetëm nga mjekët, infermierët, policia dhe inspektorati. Kjo është betejë e të gjithëve neve, e secilit qytetar. Duhet vetëdijesim i lartë për të ruajtur shëndetin publik, ndryshe do të përballemi me situatë dëshpëruese. Duhet të gjejmë kurajo për fëmijët tanë, që duhet të fillojnë mësimin së shpejti, si dhe për prindërit tanë që po vuajnë më së shumti”, përfundon shkrimi i Hotit.