Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ka zhvilluar sot një takim me kryetaren e Sindikatës së Policisë së Kosovës, Valbona Kamberi, dhe kryetarin e rajonit të Gjilanit të Sindikatës së Policisë së Kosovës, Ragip Ajeti.
Osmani u njoftua për sfidat me të cilat po ballafaqohen policët gjatë pandemisë, duke u theksuar orari i tejzgjatur, moskompensimi i angazhimit në ndërrimin e natës, si dhe orëve shtesë.
Sipas Sindikatës së Policisë, shpërfillja e kategorisë së policëve nga Qeveria përbën shqetësim dhe zhgënjim të kësaj kategorie.
E para e Kuvendit theksoi se është e pafalshme që policët e Kosovës, të cilët me profesionalizmin e tyre kanë bërë që Policia e Kosovës tradicionalisht të cilësohet ndër institucionet më të besuara në vend, të trajtohet në mënyrë të padinjitetshme.
Ajo pohoi se kontributi i Policisë së Kosovës në menaxhimin e pandemisë është i pazëvendësueshëm.
Osmani tha se institucionet e Kosovës duhet ta njohin kontributin e policëve duke i plotësuar kërkesat e tyre, të cilat ajo i cilësoi si minimale.
Po ashtu, Osmani e siguroi Sindikatën e Policisë së Kosovës se do të vazhdojë ta ngrejë zërin që policët të marrin trajtimin e merituar nga Qeveria e Kosovës.