Vetëvendosje po pretendon se deputeti i saj, Gazmend Gjyshinca është sulmuar fizikisht nga Kujtim Shala e Arben Gashi, të dy këta deputetë të LDK-së.
Me anë të një konference për medie të mbajtur dje, Vetëvendosje tha se Shala e Gashi kanë sulmuar Gjyshincën pas mbledhjes së Komisionit për Punë të Jashtme, shkruan lajmi.net.
Madje, pas rastit të pretenduar në Kuvend dje shkoi edhe policia.
E këta të fundit kanë dhënë versionin e tyre zyrtarë në lidhje me ngjarjen. Ky rast është cilësuar si lëndim i lehtë trupor, teksa është bërë e ditur se palët janë intervistuar.
“Viktima mashkull kosovar ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga dy të dyshuar meshkuj kosovarë. Palët janë intervistuar nga policia. Me vendim të prokurorit, rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në raport.
Ndërkohë, deputetët e LDK-së, Arben Gashi dhe Kujtim Shala, dje me anë të një konferencë për media mohuan akuzat e Vetëvendosjes.
Sipas tyre, pretendimet e VV-së janë shpifje të qëllimshme të kësaj partie.