Vendimin për hapjen e Shën-Sofisë si xhami për adhurim zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergej Vershinin e vlerësoi në përgjigje të interesit të gazetarëve.
Duke iu referuar jehonës së gjerë që ka bërë në botë çështja e Shën-Sofisë diplomati rus tha: “Ne nisemi nga fakti se kjo është një çështje e brendshme e Turqisë. Natyrisht, as ne, as të tjerët, nuk duhet të përzihen në këtë çështje”,- u tha Vershinin gazetarëve, duke theksuar në të njëjtën kohë se Shën-Sofia është e rëndësishme për kulturën dhe civilizimin global.
Gjykata e Lartë Administrative e Turqisë (Këshilli i Shtetit) me vendimin historik që mori më 10 korrik anuloi vendimin e Këshillit të Ministrave, marrë më datë 24 nëntor 1934, me të cilin Shën-Sofia ishte kthyer në muze, ndërsa më pas, me një vendim presidencial, objekti iu dorëzua për administrim Kryesisë së Çështjeve Fetare të Turqisë (Diyanet).