Lideri i forcave të armatosura jolegjitime në lindje të Libisë, Khalifa Haftar deklaroi se do të vazhdojë të ndërpresë prodhimin e naftës deri në përmbushjen e kushteve që ka paraqitur.
Ahmed Al-Mismari, zëdhënësi i grupit të armatosur të emëruar si Ushtria Kombëtare e Libisë nën udhëheqjen e Haftarit, në një video-mesazh të publikuar nga llogaria e tij në rrjetin social lexoi një deklaratë me shkrim.
Zëdhënësi i Haftarit, Mismari sipas deklaratës të cilën ai pretendon se e bën në emër të fiseve tha se ndërprerja e prodhimit të naftës në vend do të vazhdojë nëse nuk pranohen kushtet e fiseve në fjalë.
Në deklaratë vendoset kushti që të ardhurat nga nafta në Libi të mblidhen në një llogari bankare në një vend të tretë dhe të shpërndahen nga aty. Gjithashtu kërkohet formimi i një rregulli që të ardhurat të ndahen në mënyrë të barabartë dhe të jenë nën kontrollin e Bankës Qendrore të Libisë.
Në lidhje me situatën për ngarkimin e një cisterne të naftës së papërpunuar dje në portin e naftës Sidra në rajonin e ‘Oil Crescent‘ që ndodhet nën pushtimin e Haftarit, zëdhënësi Mismari mbrojti idenë se kjo është bërë me arsyetimin e sigurisë së portit dhe se kjo është një situatë përjashtuese.
Korporata Kombëtare e Naftës së Libisë (NOC) e cila është përgjegjëse për nxjerrjen, përpunimin, shpërndarjen dhe eskportimin e naftës në Libi, në një deklaratë dje njoftoi se është ngarkuar një tanker nafte në portin Sidra dhe se do të fillojë prodhimi dhe eksportimi në impiantet e naftës në të gjithë vendin.
Deklarata në fjalë e NOC u mirëprit nga shumë vende kryesisht nga OKB-ja dhe SHBA-të.
– Humbja ekonomike tejkalon shifrën 6.5 miliardë dollarë
Prodhimi i naftës në Libi arriti pothuajse në pikën e ndalimit, pasi grupet pro-Haftarit mbyllën në muajin janar impiantet e naftës në pjesën lindore të vendit me qëllimin për të ndërprerë burimet që shkojnë ndaj qeverisë së Libisë.
Libia e cila ka rezervat më të mëdha të naftës në Afrikë, në fillim të këtij viti kishte kapacitetin për të prodhuar 1,2 milionë fuçi naftë bruto, por ka ulur prodhimin e saj nën 100 mijë fuçi për shkak se grupet pro-Haftarit kanë ndërprerë prodhimin e naftës për më shumë se një periudhë 6 mujore. Kjo situatë shkaktoi që radhët e gjata për naftën në vend të bëheshin normale.
Ekspertët theksojnë se Haftari i cili ka pësuar humbje të njëpasnjëshme përballë qeverisë në Libi dhe i cili po kërkon rrugëdalje për bisedime politike, është nën presionin ndërkombëtar për shkak të ndërprerjes së prodhimit të naftës të cilën ai e përdor si “një as nën mëngë” për bisedime.
NOC ka paralajmëruar se ndërprerja e prodhimit të naftës që vazhdon të zgjatet ka dëmtuar infrastrukturën, mund të përgjysmojë për në kohë të gjatë prodhimin dhe mund shkaktojë dëme të përhershme në puset e naftës.