Shqipëria dhe Serbia, së pari po kërkojnë ta çarmatosin diplomatikisht Kosovën në prag të samitit Serbi-Kosovë, që do të zhvillohet në Paris në 10 korrik, dhe raundit të ri të bisedimeve, që do të rifillojnë me ndërmjetësimin e BE në Bruksel.
Nga: Shaban Murati
E kemi qysh nga legjenda e Rozafës, që vëllai i madh e tradhëton të voglin.
Në kohën e sotme, përveç kësaj, duan edhe ta çarmatosin vëllain e vogël, siç tentoi kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në 3 korrik, kur iu drejtua Kosovës nga Tirana se “Presim që presidenti i Serbisë të njohë Kosovën? Mos i pritni këto! Nuk kanë për të ndodhur kurrë”.I entusiazmuar nga kjo përkrahje kaq befasuese nga Tirana, presidenti serb Aleksandër Vuçiç amplifikoi sintoninë me kryeministrin shqiptar, duke deklaruar në 4 korrik se “Thonë se po vijnë për të negociuar për njohje të ndërsjellë. Epo, mos ejani fare. Unë nuk vijë të negocioj për këtë. Këtë ua them edhe nënave dhe baballarëve të tyre politikë”.
Shqipëria dhe Serbia, së pari po kërkojnë ta çarmatosin diplomatikisht Kosovën në prag të samitit Serbi-Kosovë, që do të zhvillohet në Paris në 10 korrik, dhe raundit të ri të bisedimeve, që do të rifillojnë me ndërmjetësimin e BE në Bruksel. Së dyti, Serbia dhe Shqipëria po i bëjnë presion Kosovës që të heqë dorë nga prioriteti numur 1 dhe nga kërkesa themelore për njohjen reciproke si përmbajtje e marrëveshjes përfundimtare midis Serbisë dhe Kosovës. Së treti, Shqipëria dhe Serbia i bëjnë presion Kosovës të heqë dorë nga shteti i pavarur dhe nga subjektiviteti ndërkombëtar dhe të pranojë statusin kolonial të “krahinës serbe me autonomi maksimale”. Së katërti, Shqipëria dhe Serbia zerojnë luftën çlirimtare, lirinë, sakrificat, gjakun e popullit të Kosovës gjatë rreth 90 viteve të pushtimit serb, gjenocidin dhe spastrimin etnik nga Serbia në vitin 1999.
Nuk mendoj se Prishtina bëri mirë që nuk iu përgjigj edhe presidentit të Serbisë, edhe kryeministrit të Shqipërisë. Nuk mendoj se bëri mirë edhe opozita shqiptare, që zbuloi në 3 korrik se prioriteti i saj diplomatik në vend të njohjes ndërkombëtare të Kosovës qenka turizmi i kosovarëve në Shqipëri.
Tani që ka arritur koha të ndërtohet kështjella diplomatike e zgjidhjes përfundimtare me njohje reciproke të konfliktit Serbi-Kosovë, erërat e helmit fryjnë nga Tirana.
Nuk mund të mos i japësh të drejtë rapsodit shqiptar, që ka kënduar vargjet perlë: “Historia nis nga Buna, ndër tre vellezër dy spiuna”.