Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, të martën e ka bërë paraqitjen e tij të parë afër Joe Bidenit që nga përkrahja publike që ia ofroi në prill për garën për president. Obama i mblodhi më shumë se 11 milionë dollarë për ish-zëvendësin e tij, i cili në nëntor do të garojë për postin më të rëndësishëm në shtetin më të fuqishëm të botës.
“Ju vlerësoj të gjithëve që keni qenë në këtë. Por njerëz, kjo është punë serioze. Çfarëdo që keni bërë deri më tani nuk mjafton”, tha Obama gjatë një organizimi virtual për mbledhjen e fondeve.
Në këtë organizim u mblodhën 7.6 milionë dollarë nga 175,000 dhurues. Obama dhe Bideni e mbajtën gjithashtu një organizim privat të donatorëve, që nuk ishte i hapur për gazetarë, ku u mblodhën mbi 3.4 milionë dollarë, shkruan “France24”, transmeton Gazeta Express.
Shuma e mbledhur të martën e dëshmon fuqinë tërheqëse të Obamës, i cili vazhdon të mbetet figurë shumë e popullarizuar brenda demokratëve dhe i cili do të llogaritet si figurë kyçe gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale në vjeshtë.
Gjatë fushatës në muajt e parë të këtij viti, shifrat e dobëta të Bidenit gjatë mbledhjes së fondeve ishin një arsye për shqetësim. Megjithatë, gjendja është përmirësuar në javët e fundit pas rritjes së përkrahjes në sondazhe dhe reagimit të popullit amerikan ndaj brutalitetit të policisë.
Megjithatë, presidenti i tanishëm i Shteteve të Bashkuara dhe kandidati i Partisë Republikane për zgjedhjet e nëntorit, Donald Trump, ende ka më shumë mjete financiare në dispozicion për fushatë.