Kanë vazhduar përplasjet në seancën e Kuvendit të Kosovës ku po diskutohet për miratimin e disa marrëveshjeve ndërkombëtare. Kësaj radhe përplasje ka pasur në mes ish-partnerëve LVV e LDK.
E gjitha nisi pas fjalës së deputetit të LVV-së, Artan Abrashi i cili tha se kjo Qeveri është Qeveri koti.
“Këto debate janë duke humbur kuptimin dhe synimi i këtyre fjalimeve koti është që ta mbulojnë një paaftësi të kësaj qeverisje dhe kësaj të ashtuquajturës qeverisje e re të mbulojë mungesën e numrave në Kuvend.
Kjo qeveri është fiktive dhe gënjeshtër e pastër, krejt këto debate koti po synojnë që të mbulojnë një të vërtetë se kjo qeverisje është qeveri ilegale dhe nuk ka trohë kredibiliteti dhe nuk përfaqëson asgjë pos interesat e një grupi të caktuar, shkruan Telegrafi.
Nëse i keni ata numra që ju jeni thirr, dëshmojeni këtë. Kjo është për keqardhje, e keni rrëzua një qeveri në kohë pandemie e sot thirreni në pandemi, e po akuzoni LVV se nuk i mbështet projektet që kanë synim ndihmën ekonomike të qytetarëve. LVV mund ti votojë të gjitha këto marrëveshje dhe ju e dini që ekziston një pengesë e patejkalueshme dhe ajo quhet qeveria ilegale koti”, tha Abrashi.
Reagim pati nga shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi i cili kërkoi përjashtimin e deputeti Arbashi nga seanca e Kuvendit.
“Gjuha jo parlamentare që po përdoret këtu që u përdor nga parafolësi është gjuhë ofenduese dhe e dënueshme. Kërkoj nga ju që ti kërkoni deputeti Abrashi ta tërheq fjalën e vet ose të përjashtohet nga seanca sepse ka përdorur gjuhë denigruese ndaj kryeministrit duke e quajtur kryeministër koti”, ka thënë Gashi.
Pas kësaj replikoi sërish deputeti Artan Abrashi. “ Unë nuk jam deputet i LDK-së që ti sot mundesh me më qit prej salle e me ma mbyll gojën. Unë jam deputet i LVV-së këta mos e harro”, tha Abrashi.
Gashi i reagoi sërish duke i thënë kryetares së Kuvendit Vjosa Osmanit që ta hedh në votim.
“Propozova mocion procedural dhe kërkoj që kjo të hidhet në votim. Nëse ai nuk është në gjendje me u vetedukua atëherë ka procedura dhe rregulla që e edukojnë”, tha Gashi.
E debati nuk u ndal këtu. Lidhur me këtë reagoi edhe shefi i Grupit Parlamentar i LVV-së, Rexhep Selimi i cili tha se askush nuk mund të nxjerrë deputet të LVV-së nga salla, shkruan Telegrafi.
“Fjala koti nuk është gjuhë jo parlamentare, deputeti Abrashi foli shumë mirë e inkurajoj që të vazhdoj kështu siq ka nis, edhe unë mendoj që qeveria aktuale ilegale jo legjitime është qeveri koti. As që duhet ti shkoj dikujt ndërmend që mund të qes deputet të LVV-së nga salla, harrojeni”, tha Selimi.
Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani tha se për këtë gjë nuk mund të kërkohet mocion procedural.
“Sipas interpretimeve të administratës nuk mund të kërkohet mocion procedural, në qoftë se mendoni se ka shkelje të rregullores apo drejtave të deputetit mund ta dërgoni për interpretim në komisionin përkatës”, tha Osmani.
E deputeti Dimal Basha i LVV-së, iu drejtua deputetëve të LDK që të mos ju humbin kohë.
“Praktikat e LDK-së që i keni atje brenda që i largoni nënkryetarët e deputetët për shkak se nuk ju pëlqejnë çka thonë. Nuk mundi praktikat e Isa Mustafës me i pru në Kuvend, nuk mundi me përjashtua njerëz pse mendojnë ndryshe”, tha Basha.
Sërish reagoi Arben Gashi duke kërkuar nga kryetarja Osmani që të t’ia tërheq vëmendjen deputetit duke ia lexuar rregulloren e Kuvendit dhe veprimet që duhet të marrë në rast se deputeti përdor gjuhë jo parlamentare.
“Jemi në një institucion ku duhet të sillemi me dinjitet. Kërkoj nga kryetarja e Kuvendit që ta respektojë rregulloren”, tha Gashi.
Osmani tha se do të kërkoj nga komisioni përkatës që të konstatoj nëse fjala koti është gjuhë jo parlamentare.
“Në momentin që ai komision e konstaton një gjë të tillë atëherë unë do t’ia ndaloj deputetëve që ta përdorin. Të njëjtën kohë do t’ia kërkoj që ta konstatoj nëse bëritma juaj në raport me mua kur më thatë “a je normal” të konstatohet se a është shkele apo jo. E lexuat drejt se duhet të respektohet autoriteti i kryetares së Kuvendit”, iu drejtua Osmani, Gashit.