Aleanca Kosova e Re ka shprehur gatishmërinë e saj për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare. Ajo dje është mbledhur me strukturat udhëheqëse dhe ka dalë me konstatimin se janë të gatshëm për sfidat e radhës, shkruan Gazeta Mejdani.
Kështu, në takimin e djeshëm të mbajtur me strukturat e partisë, AKR-ja e Behgjet Pacollit ka zgjedhur shtabin qendror zgjedhor dhe shtabet zgjedhore në nivel lokal në prag të shpalljes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të këtij viti.
Para strukturave udhëheqëse, presidenti i AKR-së Behgjet Pacolli, ka shprehur besimin e tij që me një mobilizim të anëtarësisë dhe me një program politik zhvillimor për qytetarët e vendit, koalicioni AKR-NISMA do të bëjë ndryshimet që i nevojiten vendit.
“Ky koalicion do të ketë rol vendimtar në formimin e qeverisë së ardhshme të Republikës së Kosovës. AKR është e organizuar në shumicën e komunave të Kosovës dhe presim që puna jonë e sinqertë dhe dinjitoze që kemi bërë në këtë qeveri do të përkrahet dhe vlerësohet nga qytetarët e Kosovës”, tha Pacolli.
Ndryshe, AKR në zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të garojë në koalicion me Nismën Socialdemokrate./Gazeta Mejdani/
Discussion about this post