Triumfi i forcave qeveritare të Libisë në rrethinën e Tripolit e të ndihmuara nga ushtria turke, nga rrafshi strategjik, konsiderohet fitorja më e madhe e Turqisë deri më tani në arenën ndërkombëtare.
Shkruan: Dr. Mustafa Bajrami
Humbja në teren dhe deklasimi i turpërueshëm i gjeneralit Halifa Hafter që po shkatërronte vendin e tij deri në temel, për Turqinë, nga ana tjetër, donë të thotë menjanimi i pengesës më të keqe që i rrinte në rrugë drejt shtrirjes së ndikimit të saj edhe më shumë në Veri të Afrikës, e sidomos në ujërat e Detit Mesdhe.
Atë që nuk mundi ta realizojë kryeministri i dikurshëm turk, Nexhmettin Erbakan, e bëri presidenti i tanishëm i Turqisë, Recep Tayip Erdogan.
Kështu, deklarata e para pak ditëve e kryeministrit të Libisë, Fajiz Serraxh që e dha para gazetarëve në Ankara se: “Ne nuk kemi derë më të madhe se dera e Turqisë kah e cila drejtohemi” dhe, “Tani është koha që së bashku ta rimëkëmbim vendin”, tregon qartë se Turqia ka siguruar një pozicion të qëndrueshëm nga i cili dalin përfitime të mëdha jo vetëm ekonomike. Për Turqinë, Libia është vend me një rëndësi të madhe strategjike, dhe jo vetëm.
Kompanitë ndërtimore turke tani mund t’i fillojnë përgatitjet e fundit për nisjen e punëve atje. Gjithashtu, edhe burimet e naftës që do të jenë të një rendësie të madhe për Turqinë. Që i bie, Turqia ka siguruar dy kroje të pashtershme ekonomike edhe për 50 vitet e ardhshme.
Dikur, Nexhmedin Erbakani kishte nënshkruar me Libinë një kontratë pune për projekte insfrastrukturore në vlerë prej 60 miliard dollarëve. Por, Erbakani ishte penguar ta realizonte projektin më të madh ekonomik të Turqisë deri atëherë. Erbakani sa pengohej nga Italia dhe disa vende tjera evropiane, po aq pengohej edhe nga opozita e brendshme e cila akuzonte Erbakanin se po afrohej për së tepërmi me vendet arabe muslimane. Ishte bërë bujë e madhe atëbotë në Turqi, e dëshmitar i atyre ngjarjeve jam edhe unë, ku atë kohë atje po kryeja studimet e mia posdiplomike. Turqia kishte humbur shumë. E sot, Erdogan realizoi atë që s’arriti dot ta bënte paraardhësi i tij, Nexhmettin Erbakani.
Shikuar nga lartë dhe analizuar situatën nga afër e nga brenda, Turqia duket se ka vënë nën kontroll tri burimet kryesore ekonomike në Azinë e Afërt dhe në Lindje të Mesme. Ka siguruar kalimin nëpër tokat e saj të naftës dhe gazit kafkas, i cili nga andej shkon drejt Evropës, ka siguruar ujin sidomos me GAP-in që është projekti më i madh në botë i këtij lloji, dhe, tani kontrollin mbi naftën e Libisë. Natyrisht duke mos lënë menjanë edhe fuqinë e saj në energjetikë, ku tani më i shet rrymë shumë shteteve të rajonit.
Përveç kësaj, Truqia ka siguruar një treg të madh për indistrinë e veshmbathjes, materialeve ndërtimore dhe të ushqimit. E ky treg nuk ka të bëjë vetëm me Libinë, por nëpërmes saj edhe në shumë vende tjera të Afrikës.
Kjo ishte arsyeja pse Egjipti, Franca dhe Greqia bënë “luftë” të mos lejojnë Turqinë të shtihet në atë pjesë kaq të rëndësishme.
Përkundër përpjekjeve të Greqisë, pra, edhe të Egjiptit dhe Francës, e të cilat ndihmoheshin nga disa vende tjera arabe, Turqia korri fitoren më të madhe në 30 vjetët e fundit. Ajo do të jetë pjesëmarrëse e kërkimit të naftës edhe në Mediteran, përreth brigjeve të Libisë dhe nëpër hapësira tjera të Mesdheut.
Të mos harrojmë: Libia është shteti arab nga e cila kanë përfituar vendet e huaja më shumë se thuajse nga të gjitha vendet tjera arabe. Italia për dekada ka mbajtë në duar resurset e naftës dhe paratë e Libisë.
Është shumë e çuditshme e ndoshta e pashpjegueshme deri më tani si arriti Turqia këtë fitore kaq të madhe në Veri të Afrikës dhe në ujërat e Detit Mesdhe…!