Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se është për keqardhje dhe turp trajtimi që i është bërë qeverisë nga presidenti, Hashim Thaçi.
Këto komente shefi i ekzekutivit i bëri në mbledhjen e qeverisë, ku paraqiti punën e tij në 100 ditëshin e parë. Derisa theksoi se qeveria e tij do të vazhdojë të qëndrojë në detyrë deri në zgjedhjet e reja të parakohshme.
Kurti: Është për keqardhje dhe turp trajtimi që i është bërë kësaj qeverie nga presidenti dhe regjimi i vjetër në këto 100 ditë
“Është për keqardhje dhe turp trajtimi që i është bërë kësaj qeverie nga presidenti dhe regjimi I vjetër në këto 100 ditë. Për fatin e keq nga këto veprime më së paku kam humbur unë, por më së shumti ka humbur shteti. Unë parapëlqej të humbas vet, e jo shteti. Kurse këta shtetin e japin por humbjen nuk e pranojnë. Por ja që kanë humbur, por një gjë është e qartë si kristali në këto 100 ditë ç’kapja e shtetit ka filluar dhe nuk do të ndalet. Unë tashmë e kam sqaruar se rruga përpara janë zgjedhjet e reja me masa mbrojtëse. Tash ka edhe parti tjera që po e kërkojnë të njëjtën gjë. Qeveria është në detyrë dhe do të vazhdojë deri në zgjedhjet e reja”, tha ai.
Krahas kësaj, Kurti iu bëri pyetje oponentëve të tij politikë se pse po nguten për të marrë ulësen e kryeministrit pa e pas votën e qytetarëve.
Kurti: Pse gjithë kjo nguti për të marrë ulësen e kryeministrit përmes presidentit të cilën unë e kam fituar me votën e lirë të qytetarëve
“Pas gati 15 vite të qëndrimit në opozitë ende ma i pas 50 ditë pune si subjekt fituese i zgjedhjeve na u bën bashkë i gjithë regjimi i vjetër që kishte qeverisur për 20 vite në Kosovë, vetëm për të rrëzuar një kryeministër dhe një qeveri që nga çdo parametër është treguar e suksesshme. Duke përfshirë edhe menaxhimin e pandemisë. Pse gjithë ky inat, pse gjithë kjo nguti për të marrë ulësen e kryeministrit përmes presidentit të cilën unë e kam fituar me votën e lirë të qytetarëve. Pse gjithë ky marrshim dhe urrejtje ndaj një kryeministri dhe një qeverie që ka punuar mirë dhe drejt. Pse gjithë ky luftim i qeverisjes sonë të mirë e cila jo që nuk i pati 100 ditë, por as 100 orë pa iu kundërvë frontalisht të gjithë ata që nuk i ndalën me 6 tetor”, tha ai.
Në këtë mbledhje të qeverisë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti foli edhe për masat që i kanë ndërmarrë për parandalimin e Covid-19.
Sipas tij nuk është mirë për të bërë hapa prapa në masat restriktive, por nëse ka infektime, Kurti tha se hapat e tillë janë të pashmangshme.
Kurti: Nuk është mirë të bëjmë hapa prapa, por nëse infektimet rritet atëherë hapat e tillë janë të pashmangshëm
“Nuk është mirë të bëjmë hapa prapa, por nëse infektimet rritet atëherë hapat e tillë janë të pashmangshëm”, tha ai.
***
Zëvendëskryeministri në detyrë, Haki Abazi në mbledhjen e qeverisë që është duke u mbajtur ka folur edhe për funksionalizimin e Komisionit Disiplinor për pozitat e larta.
Abazi në fjalën e tij e konsideroi si sukses hartimin në kohë rekorde të planit qeverisë.
Sipas tij kjo qeveri në afat të shkurt arriti të organizojë manifestimin për pavarësinë e Kosovës dhe Epopenë e UÇK-së.
Derisa ka folur për komisionit disiplinor për pozitat e larta zëvendëskryeministri Abazi tha se askush nuk do të lejohet që të vazhdojë keqpërdorimet e pozitës dhe parasë publike.
Abazi: Askush nuk është mbi ligjin
“Funksionalizimi i komisionit disiplinor për pozitat e larta ka qenë një që është për brenda premtimit dhe u përmend nga kryeministri duke treguar konsistencën e plotë që asnjë njeri nuk është mbi ligjin dhe asnjë njeri nuk do të lejohet që vazhdoj keqpërdorimin të pozitës publike apo edhe të parasë publike gjithashtu dhe me këtë rast kemi bërë shqyrtimin çështjeve të ngritura nga ministria e Drejtësisë, nga Ministria e Integrimit Evropian dhe pozitat tjera të larta shqyrtuese. Ne do të vazhdojmë me këtë punë sigurisht dhe besoj që edhe me këtë kemi qenë plotësisht të hapur dhe transparent për brenda punës së Komisionit Disiplinor dhe në rrjedhshmëri të këtij veprimi ne si Zyrë e kryeministrit kemi funksionalizuar komisionin për pozitat e larta drejtuese është vazhduar që të zgjatet afati i drejtorit të Agjencisë për Barazi Gjinore që ka qenë një prej më të rëndësishmeve”, tha ai.
***
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në prezantimin e të arriturave në 100 ditshin e qeverisë së tij, ka thënë se heqja e privilegjeve të shumë pritet t’i kursej buxhetit të vendit mbi 300 mijë euro në vit.
Sipas tij, nga ulja e kabinetit qeveritar, në vit do të kursehen rreth 1.4 milion euro.
“Në 100 ditë janë marr 192 vendime nga qeveria dhe unë si kryeministër, pa përmendur këtu dhjetëra vendime nga secila ministri veç e veç. Nga ulja e kabinetit qeveritar do të kursehen rreth 1.4 milion euro në vit, pasi ka më pak ministra e zëvendësministra, këshilltarë dhe asistentë. Nga zbritja e pagave do të kursehen mbi 1.1 milion euro në vit, pasi pagat e qeveritarëve do të reflektojnë në sektorin privat. Heqja e privilegjeve të shumta dhe shpenzimeve, në dreka e darka, telefona dhe udhëtime do të kursehen mbi 300 mijë euro në vit dhe do të reflektojë më mirë në jetën e qytetarëve që i përfaqësojmë”, tha Kurti.
Ai tregoi se, nga reduktimi i shpenzimeve në Telekomin e Kosovës pritet të kursehen mbi 550 mijë euro brenda një viti.
“Në Telekomin e Kosovës janë reduktuar shpenzimet e panevojshme, një prej të cilave është ulja e pagës prej 65 për qind e pagës së ushtruesit të detyrës së kryeshefit ekzekutiv. Kursimi i përgjithshëm vjetor, vetëm në këtë kompani publike, është mbi 550 mijë euro”, tha ai.
***
Qeveria e Kosovës është duke mbajtur mbledhjen e radhës, ku kryeministri në detyrë Albin Kurti, është duke prezantuar punën e bërë gjatë këtyre 100 ditëve.
Kurti deklaroi se prioritetet e kësaj Qeverie ishin të përcaktuara nga qytetarët.
“Zgjedhjet e 6 tetorit të shprehura nga qytetarët e Kosovës për ndryshim, ne i kthyem në Qeveri të reformave më 3 shkurt, dhe sot janë bërë 100 ditë të punës sonë. Unë jam zgjedhur kryeministër në një kohë ku në secilin sondazh qytetarët kanë listuar korrupsionin dhe papunësinë si problemet kryesore të tyre, dhe një ndër arsyet pse ata e kanë lëshuar vendin edhe në paqe edhe pas pavarësisë. Pra, korrupsion i lartë qeveritar dhe papunësi e lartë qytetarë, ose mjerimi i madh i qytetarëve në një anë korrupsionin e zhvatja e buxhetit nga qeveritarët në anën tjetër. Prandaj, ndryshe nuk kishte se si të ndodhte sepse prioritet e kësaj qeverie ishin përcaktuar nga qytetarët më 6 tetor”, ka thënë Kurti.
Kurti ka thënë se pas zgjedhjes së tij si kryeministër, ai ka filluar me vendime e veprime për ndaljen e korrupsionit.
“Kabinet i vogël e paga të vogla, sepse jemi vend i vogël. Kemi nisur si kabinet i ri një kulturë të re të qeverisjes, punojmë për të shërbyer qytetarët, e nuk punësohen të afërmit për të sunduar popullin”, deklaroi ai.
Kryeministri në detyrë ka pohuar se gjatë këtyre 100 ditëve kanë marrë 192 vendime.
Nis mbledhja e Qeverisë, Kurtit i raportojnë ministrat për 100 ditëshin
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë në raportimin për 100 ditëshin e qeverisjes se nga sulmet që i janë bërë atij më së shumti ka humbur shteti.
Në mbledhjen e Qeverisë, Kurti ka thënë se është për zgjedhje të reja dhe se Qeverinë do ta drejtojë deri atëherë.
“Është për keqardhje dhe turp trajtimi që i është Qeverisë dhe Kryeministrit nga Presidenti dhe regjimi i vjetër. Nga këto më së paku kam humbur unë, e më së shumti shteti. Këta shtetin e japin. Kanë humbur”, është shprehur ai.
“Në këto 100, çkapja e shtetit nga mujsharët ka filluar dhe nuk do të ndalet. Ka edhe parti që po kërkojnë zgjedhje. Qeveria do të mbetet në detyrë deri në zgjedhjet e reja”.
“Qeveria u rrëzua por një popull i tërë u ngrit. Jam i mbushur me shpresë më shumë se kurrë. Ajo që më jep shpresë është shpirti i qytetarëve të zgjuar. Besimi që kanë në vetën e tyre dhe Qeverinë e tyre”.
***
Kryeministri në detyrë i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, është duke drejtuar mbledhjen e radhës të ekzekutivit në të cilën ministrat do të raportojnë për 100 ditshin e punës së tyre.
Secili nga ministrat do të ketë 3 minuta në dispozicion për të prezantuar punën e tij në këtë mbledhje.
Prezent janë edhe ministrat nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, Lumir Abdixhiku, Hikmete Bajrami e Besjan Mustafa.
Koalicioni mes LDK’së dhe Vetëvendosjes kishte zgjatur vetëm 52 ditë. Pas kësaj periudhe kohore partia e drejtuar nga Isa Mustafa kishte organizuar mocion mosbesimi për Kurtin që ishte përkrahur nga 2/3 deputetëve të Kuvendit. Mospajtimet mes dy partive kishin qenë të shumta përfshirë politikat karshi SHBA’së.
***
Ka filluar mbledhja e Qeverisë në detyrë ku ministrat do t’i raportojnë kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit mbi 100 ditshin e punës.
Në këtë mbledhje kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka kërkuar që ministrat të raportojnë për të arriturat e tyre në jo më shumë se 3 minuta.
”Nga ministrat kërkohet që të jenë të gatshëm të raportojnë për të arriturat e tyre në jo më shumë se 3 minuta secili/a”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Në pikë të rendit të ditës është shqyrtimi i raportit të punës dhe ndonjë pikë tjetër mund të shtohet nëse ka kërkesa.
Këtë mbledhje Kurti e ka nisur duke kujtuar masakrën e Korishës. Ai ka shprehur ngushëllime edhe për personat që kanë vdekur nga koronavirusi.