Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka dekretuar si të nominuar për Kryeministër të ri, Avdullah Hoti, teksa ka thënë se lideri i LDK’së, Isa Mustafa sot i konfirmoi se e ka shumicën paralamentare për të formuar Qeverinë, shkruan Gazeta Mejdani.
Përmes një konference për media, Thaçi ka folur rreth Qeverisë në largim, ku shtoi se në bazë të Kushtetutës, ai duhet të sigurojë funksionimin e institucioneve më tutje.
“Në krejt këtë situatë të panatyrshme, qëndrueshmëria dhe legjitimiteti i Qeverisë aktuale u sfidua me mocion të mosbesimit nga më tepër se dy të tretat e deputetëve të zgjedhur nga qytetarët, në anën tjetër, është obligim i imi që si president i republiikës, në bazë të mandatit tim dhe legjitimitetit të përpiqem për të siguruar funksionimin e organeve edhe në këto rrethana.
Pavarësisht rrethanave, këto veprime politike janë të rregulluara qartë dhe në mënyrë shumë precize me Kushtetutë dhe nuk mund të konsiderohen të jashtëzakonshme.”, tha ai.
Tutje, Presidenti ka konfirmuar se sot ka pranuar letër nga Mustafa i LDK’së i cili ka konfirmuar se kanë votat për formimin e Qeverisë
“Pas letrave që i kam drejtuar kryetarit të LDK’së, Isa Mustafa, drejtuar edhe partisë që doli e para në zgjedhjet e 6 tetorit, sot kam marrë letër nga Mustafa i cili konfirmoi se i mbështet të gjitha kriteret mbizotruese për krijimin e Qeverisë së re, duke përfshirë edhe kriterin e sigurimit të shumicës parlamentare për formimin e Qeverisë së re.
Në përputhje me këtë letër, informoj se sapo kam dekretuar si të nominuar për Kryeministër të ri të Qeverisë së Kosovës.”, tha ai.
Kujtojmë se deri tash LDK ka zyrtarizuar koalicionin me AAK’në dhe Nismën./Gazeta Mejdani/