Serbia është njëri nga shtetet e Ballkanit Perëndimor, në të cilin është shënuar numri më i madh i të infektuarve me COVID-19.
Në emër të ndihmave humanitare, Serbia ka përfituar përkrahje nga Bashkimi Evropian, Kina dhe Rusia.
Mirëpo, më shumë sesa dëmet që i ka sjellë virusi, ekspertët e sigurisë e vlerësojnë “ndihmën” ruse. Ky mendim rrjedh nga serbët, studiues të sigurisë që jetojnë e veprojnë në Serbi, por edhe nga të dhëna që vijnë nga institucione të sigurisë së shteteve të huaja.
Darko Trifunoviq, drejtor i Institutit për Siguri Nacionale dhe Internacionale në Beograd, ka shprehur brengën lidhur me atë se çfarë ka sjellë Federata e Rusisë në Serbi për ta luftuar COVID-19.
“Serbisë nuk i duhen ushtarët specialë të shërbimit sekret GRU për luftë psikologjike, por mjekë që e mjekojnë virusin Corona”, ka thënë ai, në njërin nga posti mit e fundit në facebook.
Në anën tjetër, eksperti i sigurisë nga Prishtina, Nuredin Ibishi, ka thënë se ka informacion të besueshëm se “zbarkimi i 11 aeroplanëve me ndihma nga Moska, ka përmbajtje të dyshimta”.
“Shqetësuese është fakti se menjëherë nga Beogradi, katër kamionë janë nisur drejt Nishit. Tre prej tyre kanë qenë të ngarkuar me sanitari që ndërlidhet me virusin Corona, ndërsa në të katërtin ka teknikë të fshehtë që ka të bëjë me përgjime në distancë”, ka thënë Ibishi.
Ibishi i ka siguruar edhe fotografitë e kamionëve të dyshimtë rusë në Nish. Ai thotë se fotografitë janë autentike, të fotografuara në Nish të Serbisë dhe sipas informacionit të siguruar, “Pajisjet e spiunazhit paraqesin rrezik jo vetëm për Serbinë, Maqedoninë Veriore, por edhe për Kosovën e shtete të tjera përreth Serbisë”.
Në qytetin e Nishit gjendet Qendra Humanitare Ruso-Serbe, e cila edhe sipas zyrtarëve të lartë të NATO-s, ka dyshime të bazuara se përdoret për spiunazh.
Sipas Nuredin Ibishit, “teknika që e kanë sjellë rusët të kamufluar në QHRS, ka dy qëllime kryesore. E para që ta përgjojë Maqedoninë e Veriut, e cila tashmë është pjesë e NATO-s, dhe e dyta që është më interesante, përgjimin e disa oficerëve ushtarakë në Serbi, të cilët janë mbështetës të orientimit politik e ushtarak pro Aleancës Veri-Atlantike”.
Darko Trifunoviq, i cili dikur ka qenë edhe sekretar në Ambasadën e Serbisë në Uashington, përveç përfshirjes së inteligjencës ushtarake ruse në Serbi, e konsideron të turpshëm edhe faktin se “për luftimin e COVID-19, Rusia nga të gjitha pajisjes që ka sjellë në Serbi, shumica janë kamionë që pastrojnë rrugët”.
Sipas tij, absurditeti më i madh se kaq, u shënua në Republika Srpska në Bosnjë dhe Hercegovinë, ku u ndanë 10,000 litra likuiditet me 70 % alkool për t’i pastruar rrugët, gjë që është e paparë deri më tani kudo në botë.
“Serbia i ka pasur kamionët e vet për pastrimin e rrugëve. Mirëpo, ata kanë sjellë një dyzinë ushtarësh me gjeneralin e tyre, që të gjitha janë spiunë”, ka thënë Trifunoviq.
Udhëheqja ruse disa herë ka kërkuar që t’ia japë imunitetin diplomatik personelit të Qendrës Humanitare Ruso-Serbe në Nish, mirëpo deri tani kjo nuk ka ndodhur.
Në anën tjetër, Telegrafi ka publikuar një lajm, ku ka paraqitur qëndrimin e serbes Dragana Trifkoviq, që akuzohet gjithashtu se është bashkëpunëtore e FSB-së (njërit prej shërbimeve ruse të inteligjencës), e cila ka thënë se presidenti i Serbisë tashmë ka shpallur fushatën anti-ruse në Serbi.
Nuredin Ibishi e konsideron periudhën e izolimit nga virusi corona të rrezikshme, kur bëhet fjalë për influencën ruse.
“Rusëve ua jep mundësinë që pa rënë në sy të zhvillojnë aktivitete të ndyra. Pra, Serbia është në hall edhe me virusin edhe me Rusinë! Mirëpo, fatbardhësisht, ka raste si ky që tregojnë se rusët megjithatë përcillen, dhe se ata do të dështojnë edhe kësaj radhe, ashtu siç kanë dështuar në Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, ku kanë pasur për qëllim ndalimin e anëtarësimit të këtyre vendeve në NATO”, ka thënë Ibishi për KosovaPress.
Viteve të fundit është rritur aktiviteti i dekonspirimit të zyrtarëve rusë të inteligjencës jo vetëm në rajonin e Ballkanit, por edhe më gjerë. Përveç Bullgarisë dhe Serbisë, ku plasën skandale lidhur me veprimtarinë e spiunazhit rus, së fundmi institucionet e sigurisë së Ukrainës e arrestuan një pjesëtar të lartë të shërbimit të fshehtë ukrainas, i cili ishte bashkëpunëtor i njërit prej shërbimeve ruse të inteligjencës.
Gjenerali ukrainas Valerij Shajtanov, u arrestua për shkak të “veprave të terrorizmit dhe spiunazhit në të mirë të Rusisë. Ai ka qenë kontakt i oficerit rus Igor Egorov”, ka shkruar në faqen e vet të internetit Shërbimi i Inteligjencës Ukrainase.
Në fund të vitit të kaluar, një zyrtar tjetër i inteligjencës ruse u tentua të zgjidhej raportues për Kosovën në Këshillin e Evropës. Bëhet fjalë për Aleksej Kondratievin, për të cilin mediat kosovare dhe gjermane kishin raportuar se në vitin 2001 ishte plagosur në një lokal nate në Prishtinë, gjatë përpjekjes që ta rrëmbente një femër./kp/Gazeta Mejdani/