Turkish Airlines njoftoi se ka pezulluar të gjitha fluturimet e brendshme në Turqi deri më 20 prill, si masë parandaluese në luftën kundër pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).
“Në kuadër të luftës kundër epidemisë së koronavirusit dhe për shkak të pezullimit 15-ditor të daljeve edhe përmes rrugëve ajrore nga 30 qytete metropolitane, fluturimet e brendshme tashmë të reduktuara në 14 qytete metropolitane do të anulohen deri më 20 prill”, tha drejtori i përgjithshëm i Turkish Airlines, Bilal Ekşi, në një njoftim në Twitter.
Deri më tani, Turqia ka konfirmuar mbi 20.000 raste me COVID-19, ndërsa numri i të vdekurve ka shkuar në 425.