Vlera kryesore në një partneritet politik, në Qeveri a në opozitë, është interesi politik. Interesi pastaj sjell ndërtimin e besimit dhe të respektit të ndërsjellë. Kjo nuk u arrit në Qeverinë e Kryeministrit Kurti.
Shkruan: Blerim Shala
Kuvendi i Kosovës të mërkurën në mbrëmje shkarkoi Qeverinë e Kosovës të Kryeministrit Albin Kurti.
Më shumë se gjithçka tjetër në zhvillimet e lodhshme dhe të rënda politike të javëve të fundit, debati i zhvilluar për gati dymbëdhjetë orë në Kuvend këtë të mërkurë, me një përplasje të pakursyer në mes të dy partnerëve kryesorë në këtë Qeveri, Lëvizjes ‘Vetëvendosje’ dhe LDK-së, dëshmoi që nuk kishte mbetur më gjë prej gjëje në këtë relacion, në këtë bashkëpunim.
Dikush mund të thotë që nuk ka pasur asnjëherë marrëdhënie të sinqerta dhe miqësore në mes këtyre dy partive, të cilat së bashku morën shumicën e votave të qytetarëve të Kosovës dhe të mandateve në Kuvend.
Në politikë sinqeriteti dhe miqësia realisht janë ‘vlera të shtuara’. Do të ishte mirë të jenë, por pa to bën. Vlera kryesore, vendimtare në një partneritet politik, në Qeveri a në opozitë, është interesi politik. Interesi pastaj nënkupton ndërtimin e besimit dhe të respektit të ndërsjellë.
Në rastin e Qeverisë së Kryeministrit Kurti, interesi i mirëfilltë për një bashkëpunim në mes të ‘Vetëvendosjes’ dhe LDK-së, nuk solli respektin dhe besimin.
Herët a vonë, do të ndodhte çarja e pariparueshme në mes tyre.
Pra, e vërteta e parë politike që nuk mund të kontestohet dot, nëse i lëmë anash qasjet të mbushura me anshmëri, emocion dhe madje, fushatë propagandistike, është që kriza politike në Qeverinë e Kosovës është mbi të gjitha ‘prodhim i brendshëm’, i vet kësaj Qeverie. Opozita e tanishme, as nuk ka pasur numra, as fuqi politike që ta kërcënojë dhe ta rrezikojë këtë Qeveri.
E vërteta e dytë politike, e cila njëlloj nuk ka si të mëdyshet, është që Qeveria e Kosovës ka hyrë tash e sa javë, në relacione problematike me Administratën Amerikane të Presidentit Trump. Kjo Administratë përfaqëson SHBA-në. Arsyeja e këtij tensioni në rritje e sipër është i njohur për të gjithë, jo vetëm sot, por tash e një vit. Washingtoni zyrtar nuk e ka fshehur asnjëherë që pezullimi dhe heqja e tarifës është një vendim të cilin SHBA-ja e pret nga Qeveria e Kosovës, me synim që të vazhdojë dialogu i autoriteteve më të larta të Kosovës dhe Serbisë. Për më shumë, njëkohësisht me këtë qëndrim, Administrata e Presidentit Trump, si asnjë tjetër para saj, ia ka bërë me dije te dy palëve në dialog (Prishtinës dhe Beogradit), që sipas saj, Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, duhet të ndërtohet mbi njohjen reciproke në mes të dy shteteve.
E vërteta e tretë politike është që raportet e Kosovës me BE-në janë në nivelin më të ulët që prej se Kosova është bërë shtet i pavarur. Janë arsye të shumta që kemi mbërri këtu ku jemi. Brukseli nuk arriti ta përmbushë hisen e vet të një Kontrate në mes të Kosovës dhe BE-së, që do të mundësonte udhëtimin pa viza të qytetarëve të Kosovës në Evropë. Perspektiva evropiane për Kosovën tash e sa vite është një fjalë boshe. Natyrisht, ka ngecje dhe dështime sa të duash edhe nga ne, në këtë raportin me BE-në. Por, qytetarët e Kosovës ndihen të lënduar, të diskriminuar madje, me qasjen e BE-së ndaj tyre.
Kjo është po ashtu një e vërtetë e dhimbshme për të gjithë ne.
E vërteta tjetër politike është që në Kosovë, aktualisht së paku, nuk ka zgjedhje të drejtpërdrejta, as për Kryeministër të Kosovës, as për President të Kosovës.
Raporti i vetëm, i drejtpërdrejtë, i qytetarëve/ votuesve të Kosovës me politikanët e zgjedhur është ai që njeh përzgjedhjen e njëqind deputetëve të Kuvendit të Kosovës (njëzet të tjerë seleksionohen me parimin e mandateve të garantuara për komunitete).
Ky është vullneti i votuesve: Zgjedhja e njëqind deputetëve, në bazë të afiniteteve të votuesve.
Nuk mund të ketë një super-interpretim të vullnetit të qytetarëve, apo një lexim ndryshe, pos këtij që njeh mundësinë që partitë, koalicionet që janë në posedim të këtyre njëqind mandateve, të bëjnë Marrëveshje për bashkëqeverisje, duke arritur tek ajo shumica minimale e kërkuar prej 61 deputetëve.
Sukseset dhe dështimet e koalicioneve qeverisëse, e përzgjedhjes së partnerëve në udhëheqjen me Qeverinë, tek e fundit, vet rezultati i një Qeverie, matet në zgjedhjet e radhës për Kuvendin e Kosovës.
Kjo e vërtetë dihet botërisht. Dhe është e vërtetë e qartë kushtetuese dhe politike.