Pandemitë nuk janë të papritura. Por, realiteti gjithmonë ndryshon nga pritjet. Kjo e Covid 19-shit nuk është vetëm një kërcënim për shëndetin. Mund të jetë gjithashtu një kërcënim më i madh ekonomik sesa kriza financiare e 2008-09.
Ballafaqimi me të do të kërkojë një udhëheqje të fortë dhe inteligjente. Bankat qendrore kanë nisur një fillim të mbarë. Tani vëmendja bie mbi qeveritë. Asnjë ngjarje nuk do ta tregojë më mirë pse një shtet administrativ cilësor, i udhëhequr nga njerëz të aftë që dallojnë ekspertët nga sharlatanët, është kaq jetik për publikun.
Pyetja kryesore sot është se sa e thellë dhe e gjatë do të jetë emergjenca shëndetësore. Ka shpresë që mbyllja e vendeve (si në Spanjë) ose pjesë të vendeve (si në Kinë) do ta eliminojnë virusin. Megjithatë, edhe nëse kjo vërtetohet nuk do të jetë kudo njëlloj e vërtetë. Një mendim në ekstremin e kundërt është se deri në 80 përqind të popullsisë së botës mund të infektohen.
Me një shkallë vdekshmërie të mundshme prej një për qind, kjo mund të nënkuptojë aq viktima sa në Luftën e Dytë Botërore. Kjo fatkeqësi do të marrë gjithashtu mjaft kohë: gripi spanjoll i vitit 1918 erdhi në tre valë, gjatë një viti. Megjithatë, ka më shumë të ngjarë që kjo të përfundojë në gjysmë viti dhe shkalla e vdekshmërisë të jetë më e ulët. Por, sëmundja nuk do të zhduket.
Bota mund të mos kthehet në sjellje normale deri në vitin 2021. Të rinjtë mund të kthehen në normalitet, më shpejt. Të moshuarit jo. Për më tepër, edhe nëse disa vende e eliminojnë sëmundjen, karantinat do të mbeten për t’u ruajtur nga të tjerët. Në përfundim, ndikimi i koronavirusit ka të ngjarë të jetë i rëndë dhe i zgjatur. Të paktën, politikëbërësit duhet ta planifikojnë këtë.
Pandemia tashmë ka ndrydhur si ofertën ashtu edhe kërkesën. Karantinat ndalojnë furnizimet bazë dhe një gamë të gjerë blerjesh, veçanërisht shërbimet e udhëtimit dhe argëtimit. Rezultati do të jetë një rënie e madhe e aktivitetit të tyre në gjysmën e parë të këtij viti.
Mbi të gjitha, një depresion po kërcënon. Shumë familjeve dhe bizneseve ka të ngjarë t’u mbarojnë paratë së shpejti. Edhe në vendet e pasura një pjesë e madhe e popullsisë nuk ka rezerva monetare. Sektori privat është gjithashtu i mbuluar në borxhe. Kështu që kërkesa konsumatore do të dobësohet edhe më shumë. Bizneset do të falimentojnë. Njerëzit dhe bizneset do të refuzojnë të shesin përveçse me pagesa paraprake. Dyshimi për shëndetin e sistemit financiar do të rishfaqet. Ekziston rreziku i një kolapsi të kërkesës dhe aktivitetit ekonomik që shkon shumë larg ndikimit të drejtpërdrejtë të urgjencës shëndetësore. Do të jetë veçanërisht e vështirë të përmbahet përhapja e sëmundjes në vendet me sigurim të kufizuar shoqëror dhe kontroll të dobët shoqëror. Kjo do të prekë ShBA-në ku mbi të gjitha shumë njerëz të sëmurë do të refuzojnë të shkojnë në spital dhe gjithashtu do të detyrohen të punojnë.
Si huadhënës të mjetit të fundit, bankat qendrore duhet të sigurojnë likuiditet duke mbajtur koston e huamarrjes të ulët, direkt dhe indirekt. Por, bankat qendrore nuk mund të të japin aftësinë paguese. Ata nuk mund të mbështesin të ardhurat për familjet ose të sigurojnë bizneset përballë rënies së kërkesës. Si huamarrës dhe shpenzues të radhës së fundit, qeveritë mund dhe duhet ta bëjnë këtë.
Borxhi afatgjatë i qeverisë është aq i lirë sa që nuk ka nevojë të frikësohen për ta bërë këtë: Gjermania, Japonia, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe ShBA.
Kjo, pra, është një krizë ku jemi të kufizuar në kohë, me pasoja të rënda ekonomike dhe shëndetësore dhe që qeveritë duhet të menaxhojnë. Brenda vendit, minimumi është sigurimi i pagave dhe të skemave të papunësisë, përfshirë edhe të vetëpunësuarit, për periudhën e krizës. Edhe pse mund të jetë shumë e vështirë, qeveritë duhet tu dërgojnë të gjithëve një çek.
Megjithatë, edhe kjo nuk do të jetë e mjaftueshme nëse kostot e falimentimit dhe një depresion duhen shmangur. Emmanuel Saez dhe Gabriel Zucman nga Berkeley argumentojnë: “Mënyra më e drejtpërdrejtë për tu siguruar… është që qeveria të veprojë si blerës i fundit. Nëse qeveria zëvendëson plotësisht kërkesën që bie, secili biznes mund të vazhdojë të paguajë punëtorët e tij, sikur të funksiononte… si zakonisht.” Anatole Kaletsky rekomandon një përgjigje të ngjashme.
Sigurimi i një lehtësimi të tillë nuk do të krijojë një rrezik moral. Të qenit i ndihmuar në një pandemi, vështirë se do të inkurajojë papërgjegjshmëri. Nëse bizneset huazojnë më shumë, në fund të fundit ata do të falimentojnë.
Ky plan është shumë më i mirë se kreditë dhe garancitë e huasë, siç propozohet nga qeveria gjermane. Bizneset do të marrin hua vetëm për të siguruar mbijetesën e tyre përmes krizës, jo domosdoshmërisht për të paguar punëtorët e tyre. Për më tepër, huat do të paguhen, duke krijuar një ngarkesë kur të mbarojë pandemia. Megjithatë, në këtë program të propozuar, pagesa mund të kushtëzohet me mbajtjen e punëtorëve. Programi gjithashtu do të përfundojë natyrshëm, me vetë pandeminë. Qeveritë më pas mund të vendosin taksa shtesë për të kompensuar shpenzimet e tyre.
Garantimi i të ardhurave dhe administrimi i shpenzimeve afatgjata të bizneseve janë thelbësore. Për më tepër, brenda eurozonës do të jetë thelbësore të ndihmohen qeveritë, aftësia e të cilëve për të huazuar është e kufizuar.
Edhe kjo fatkeqësi do të kalojë. Por nuk do të ndodhë nesër. Pandemia rrezikon të krijojë një depresion. Salus rei publicae suprema lex (siguria e republikës është ligji suprem). Në luftë, qeveritë shpenzojnë lirshëm. Tani, ata duhet të mobilizojnë burimet e tyre për të parandaluar një katastrofë. Mendoni thellë. Veproni shpejt. Bashkarisht. /Burimi: Financial Times/Përktheu: Mapo/