Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), ka marrë disa vendime me rastin e përhapjes së koronavirusit të ri COVID-19 në Kosovë, transmeton Gazeta Mejdani.
Kryetari i BIK-ut, Naim Tërnava, në një video-mesazh në rrjetet sociale, tha se “është obligim fetar që t’u përmbahemi vendimeve dhe masave të rekomanduara për parandalimin e përhapjes së virusit nga organet kompetente”.
Myftiu Naim Tërnava ka thënë se këto vendime të marra kanë të bëjnë me të mirën e besimtarëve në mënyrë të që të mbrohen nga përhapja e koronavirusit.
Tërnava njoftoi se ndër vendimet e marra është ndalimi i mësimit “në të gjitha institucionet arsimore fetare, në të gjitha xhamitë dhe puna në konviktet islame të Kosovës”.
Po kështu, siç bëri të ditur ai, përkohësisht është anuluar edhe mbajtja e ligjeratave, seminareve dhe takimeve të ndryshme.
Ndër të tjera, më poshtë mësoni vendimet e marra:
– Është obligim fetar që t’iu përmbahemi vendimeve dhe masave të rekomanduara për parandalimin e përhapjes së virusit nga organet kompetente
– Ndalohet mësimi në të gjitha institucionet arsimore fetare në të gjitha xhamitë dhe puna në konviktet islame të Kosovës.
– Anulohet përkohësisht mbajtja e ligjëratave, seminareve dhe takimeve të ndryshme të xhematit
– Pezullohet organizimi i umres deri në një vendim tjetër
– Të bëhet dezinfektimi i të gjitha objekteve mësimore si në FSI, konvikte, medrese, objektet administrative të BIK-ut dhe të gjitha objektet fetare si xhamitë e të tjera.
– Pezullohet përkohësisht namazi me xhemat edhe i xhumasë, ndërsa besimtarët porositën që ta falin namazin e drekës si zëvendësim i xhumasë, ndërsa ezani do të vazhdojë të thirret në çdo kohë.
Po ashtu, është marrë vendim që të pezullohen të gjitha tubimet me rastin e ngushëllimeve, të pameve, ndërsa ceremonia e varrimit të organizohet në një rreth sa më të ngushtë fetar.