Tashmë COVID-19 apo i njohur ndryshe si koronaviursi e ka prekur edhe Kosovën, ku tri raste të reja janë paraqitur deri tani, shkruan Gazeta Metro.
Një rast është nga Klina, kurse dy raste të tjera janë nga fshati Stubëll e Vitisë, ku një 77 vjeçar kishte ardhur nga Italia dhe ishte infektuar me koronavirus.
77 vjeçari pas kontaktit me një 39 vjeçar, ka bërë që edhe ati t’ia bartë sëmundjen COVID-19, apo e njohur ndryshe si koronavirusi.
Por, 77 vjeçari nuk ka qëndruar vetëm me 39 vjeçarin që sot është konfirmuar me koronavirus, ai po thuhet se ka shkuar edhe në mesh, dasme, takime me persona të tjerë, si miq e familjarë.
Këtë e ka konfirmuar kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, i cili po thotë se 77 vjeçari në Stubëll ka ardhur përmes kufijve me familjen tij.
Ai thotë se 77 vjeçari vjen nga një familje me traditë dhe tepër bujare, por dyshimet e tij janë se ka qëndruar me shumë persona të tjerë në bazë të informatave që ka marrë nga terreni.
“Ai ka ardhur në Kosovë përmes kufijve pa fajin tonë, ai pastaj ka marrë pjesë në mesh, dasme, ka familje, ka ardhur për në Kosovë bashkë me familje rrugës dhe ka qëndruar bashkërisht me miq e familjarë. Këtë rast Vitia është përfshirë nga një qytetar i yni i cili është nga një familje me traditë tepër bujare dhe tash pa fajin e tij ai ka ardhur nga Italia dhe ka hyrë nëpër kufijtë e tonë dhe tash janë infektuar edhe të tjerë”, tha Haliti, transmeton Gazeta Metro.
“Unë dyshoj se do të ketë edhe persona të tjerë, pasi ka pas shumë kontakte me persona të tjerë, mirëpo do ia dalim, por nuk do të mundemi pa pajisje dhe pa maska, pa dorëza e dezinfektues, akoma nuk kemi marrë ndihmë nga qeveria”, tha Haliti, transmeton Gazeta Metro.
Haliti ka kërkuar ndihmë nga Qeveria e Kosovës pasi deri tani nuk ka pasur asnjë ndihmë, nuk kanë dorëza, nuk kanë rroba adekuate, dezinfektues dhe gjëra elementare për t’u përballuar me koronavirusin.