Është e drejtë e prijësit të një vendi islam të bjen vendime të caktuara edhe rreth çështjeve fetare.
Shkruan: Dr. Mustafa Bajrami
Në raste tjera, siç është rasti i Kosovës, e drejta për vendime fetare (fetva) bie mbi Muftiun e vendit. Në mënyrë ekskluzive ai është i vetmi autoritet juridik islam që bjen vendime të reja, ai e ka të drejtën ekskluzive të derogojë të vjetrat, si dhe, është i vetmi që duke bërë krahasimin e të vjetrave me të rejat, mund të vendosë për ndryshimet e kërkuara.
Vendimet që i merr Muftiu në lidhje me çështje të caktuara, duhe të jenë rezultat i studimit të çështjeve si dhe rezultat i konsultimit të kompetentëve që janë të thirrur për ato çështje, në mënyrë që ato vendime të mos bien ndesh me interesin e individit apo të shoqërisë. Këto mund t’i bëjë si i vetëm, ose nëpërmes zyrës adekuate për fetva të cilën vetëm ai mund ta autorizojë për vendime të caktuara.
Megjithatë, janë disa (para)kushte të cilat Muftiu duhet t’i ketë parasyshë derisa bjen një fetva (vendim juridik fetarë). Dua t’i përmendi dy më kryesoret: Një, vendimet e sjella nuk guxojnë të bien ndesh me katër burimet e jurispondencës islame, dhe, dy, nuk guxojnë të jenë në dëm të interesit të përgjithshëm të vendit ku vepron Muftiu.
Fetvaja, pra, është njëri prej institucioneve më të rëndësishme në të Drejtën Islame. Përfaqëson zgjidhjen praktike ndaj çështjeve, pyetjeve dhe nevojave të myslimanëve. Është niveli më i lartë intelektual i vetëdijes profesionale juridike islame. Fetvaja është mendimi autoritar dhe profesional i një muftiu. Atë mund ta ushtrojë vetëm personi i autorizuar dhe me kompetenca profesionale dhe ligjore. Në të kundërtën, fetvaja është e paqëndrueshme dhe jovalide.
Tek rasti konkret, falja e namazit të xhumasë i ka 5 kushte paraprake. Ndër to është edhe ai i sigurisë individuale dhe shoqërore (nga huliganët, nga të ftohtit, nga bishat e egra, apo nga ndonjë rrezik tjetër që do ta rrezikonte jetën e personit apo xhematit të donë të falë namazin e xhumasë).
Nëse për çfarëdo arsye autoriteti përkatës ndalon në mënyrë legjitime faljen e namazit të xhumasë në vende publike, atëherë bëhet e pavlefshme falja e saj ne vende të mbyllura, të paautorizuara dhe të fshehta. Sepse, ezani qe thirret në vende të mbyllura, të paautorizuara, jo publike, dhe të mbyllura nuk shërben si njoftim apo thirrje e hapur per cilindo që dëshiron ta falë namazin e xhumasë. Dijetarët islam këtë e argumentojnë me ajetin 9 të sures “Xhum’a”.
Më konkretisht, përderisa pandemia e koronavirusit ka marrë dhenë, ku as Kosova nuk mund të mbetet imune ndaj saj, dhe, përderisa organet shtetërore bien vendim në mbrojtje të qytetarëve nga çfarëdo rreziku, e në këtë rast, edhe të personit që donë të falë namazin e xhumasë, e konsideroj të gabueshëm vendim e Bashkësisë Islame mbi lejueshmërinë e tubimit të njerëzve sot nëpër xhamitë e Kosovës.
Logjikisht e idomos bazuar në dispozitat juridike islame në lidhje me këtë, do të kishte qenë e udhës që sot të mos falej namazi i xhumasë nëpër xhamitë e Kosovës. E në vend të saj, njerëzit ta falnin namazin e drekës nëpër shtëpitë e tyre. Sepse, siç thash edhe më lartë, falja e namazit të xhumasë kërkon kushte. E nëse vetëm njëri prej atyre kushteve mungon, bie edhe obligueshmëria e faljes së namazit të xhumasë. Ndër to, në këtë rast, është siguria individuale e individit dhe ajo e përgjithshme e shoqërisë…!
Vendimi apo fetvaja e dalë sot nga zyra për fetva e Dijanetit të Turqisë është se namazi i xhumasë nuk është farz në kohën dhe vendet ku koronavirusi mund të paraqet rrezik për jetën e njerëzve. Në vend të faljes së namazit të xhumasë, besimtarët mund ta falin namazin e drekës nëpër shtëpitë e tyre. Sepse, thuhet në fetva, “përderisa autoritetet përkatëse marrin vendim të caktuar në lidhje me rrezikshmërinë e kësaj sëmundje, për të parandaluar përhapjen e saj, namazi i xhumasë më nuk është farz të falet”.
Allahu a’lem…!