Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, ka marrë pjesë në takimin e Ministrave të Jashtëm në kuadër të Procesit të Berlinit që është mbajtur dje në Shkup.
Vetë Konjufca ka treguar se në atë takim është përplasur ashpër me ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, meqenëse ky i fundit ka shprehur pakënaqësi për shkak se Kosova është shfaqur pa fusnotë në komunikatën e përbashkët.
Konjufca ka kërkuar që Daçiq të ndalë një qasje të tillë ndaj Kosovës.
“Ju po mundoheni të mohoni ekzistencën tonë. Prej nga kjo energji kaq negative z. Daçiq. Kjo nuk është gjuhë integruese evropiane. Ju duhet të hiqni dorë nga ky angazhim kundër Kosovës!”, ka thënë Konjufca.
Në këtë takim ka qenë i pranishëm edhe Gent Cakaj, Ministër i Punëve të Jashtme i Shqipërisë.
Njoftimi i plotë i Konjufcës:
Dje kam marrë pjesë në Takimin e Ministrave të Jashtëm në kuadër të Procesit të Berlinit, konkretikisht në panelin e parë “Shteti Ligjor, Migrimi, Siguria / Rreziqet Hibride”, i cili është mbajtur në Shkup.
Në Sesionin Plenar, i cili u zhvillua pasdite, fjalën e hapjes e ka mbajtur Kryeministri i Maqedonisë së Veriut z. Oliver Spasovski.
Gjatë debatit kam përshëndetur organizatorin dhe kam deklaruar se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave, gjë që është konstatuar edhe nga Komisioni Evropian në vitin 2018. Madje kam shtuar më tutje se Kosova nuk është kundër dialogut me Serbinë, por ai duhet të rezultojë me normalizimin dhe njohjen e ndërsjellë në mes të dy vendeve.
Gjatë debatit kam pasur një shkëmbim të ashpër pikëpamjesh me ministrin serb Daçiq.
Ministri serb ka shfaqur pakënaqësinë, që në Komunikatën e Përbashkët nuk është vendosur fusnota për Kosovën, është ankuar se Qeveria e re e Kosovës nuk po i respekton marrëveshjet e nënshkruara nga ai dhe zoti Thaçi në Bruksel dhe e ka ftuar Qeverinë e Kosovës të heqë taksën 100%.
Unë i kam thënë se fusnota nuk është vendosur në asnjë takim të Procesit të Berlinit. Pastaj, i kam informuar të pranishmit se Qeveria e Serbisë dhe Ivica Daçiq e kanë keqpërdorur dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, duke e paraqitur atë në mënyrë të pasaktë jo si dialog për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve, por si dialog për statusin e Kosovës.
Madje ju kam drejtuar z. Daçiç me këto fjalë : “Ju po mundoheni të mohoni egzistencën tonë. Prej nga kjo energji kaq negative z. Daçiq. Kjo nuk është gjuhë integruese evropiane. Ju duhet të heqni dorë nga ky angazhim kundër Kosovës!”
Në këtë debat ka marrë pjesë edhe Ministri në detyrë i Republikës së Shqipërisë z. Gent Cakaj, i cili e ka akuzuar Qeverinë e Serbisë për përdorimin e formave të palejueshme në kampanjën e saj kundër Kosovës.