Gratë shtatzëna nuk janë më të rrezikuara se të tjerët nga koronavirusi, dhe nuk ka evidenca, që ky virus mund të përcillet nga nëna në fetus, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Mejdani.
Ky studim i bërë nga Royal College of Obstetricians and Gynaecologists, i ka ofruar këto informacione për të gjitha gratë, të cilat ende nuk kishin marrë informacione të sakta, nëse ky virus mund të përcillet tek fetuset e tyre.
Gratë shtatzëna mund të kenë probleme me sistemin imunitar, i cili mund t’i bëjë ato më të ndjeshme ndaj viruseve apo gripit sezonal, mirëpo nuk ka informacione, të cilat tregojnë se ato janë më të ndjeshme ndaj koronavirusit.
“Përderisa ky është një virus komplet i ri, ne vetëm sa kemi filluar të mësojmë për të, prandaj çdo ditë ka informacione të reja, gjithsesi deri më tani mund të thuhet, që gratë shtatzëna nuk janë më të rrezikuara se sa të tjerët”, tha Edward Morris, president i këtij kolegji.
Ky studim është bërë me 147 gra shtatzëna, 64 prej të cilave ishin diagnostikuar me koronavirus, dhe 82 prej tyre dyshohej se ishin raste asimptomatike. Në lindjet cezariane, që i kishin pasur 9 nga këto gra, të gjithë të porsalindurit ishin të shëndetshëm, dhe nuk kishte prova se virusi ishte prezent në qumështin e gjirit, arteriet e gjakut apo në lëngun amniotik.
Sipas shkencëtarëve, që kanë realizuar këtë studim, në bazë të evidencave të deritanishme, duhet të ndalohet ndarja e nënave me koronavirus nga foshnjat e tyre të porsalindura, siç është vepruar deri tani në disa vende./Gazeta Mejdani/