Komuniteti mysliman në Gjermani është alarmuar tejmase. Njoftimet për atentate të planifikuara ndaj xhamive në Gjermani, kanë shtuar pasigurinë e myslimanëve në vend.
Disa shoqata myslimane atje kanë kërkuar mbrojtje më të mirë nga shteti.
Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Myslimanëve, El Yazidi bëri fjalë për një “dimension që nuk ka ekzistuar më parë.” “Myslimanët janë bërë shumë të pasigurtë. Ata ndjehen të lënë vetëm”, tha El Yazidi për Deutsche Wellen.
Ai shtoi se ajo që i bën të frikësohen edhe më shumë është fakti se “lajme të tilla tronditëse kalojnë pa u komentuar në shoqëri, dhe se “nuk ka angazhim, nuk ka një shprehje të qartë të solidaritetit në një formë që ne do ta dëshironim.
Po përballemi me urrejtjen” , qenë deklarata e tij. Kryetari i Këshillit Qendror të Myslimanëve, Aiman Mazyek është kërcënuar personalisht nga radikalët e djathtë. Ndërsa Komuniteti Islam deklaroi në Köln, se në Gjermani aktualisht ka një rrezik të shtuar për xhamitë, sinagogat e për institucione të tjera të pakicave fetare.
Xhamitë që janë ngritur me donacione e kanë të pamundur ta financojnë vetë sigurinë e tyre. Së fundi u bë e ditur se disa anëtarë të grupimit terrorist të nxitur nga Werner S. kishin planifikuar atentate terroriste në 6 xhami. Pas bastisjeve të policisë në disa lande gjermane u dhanë urdhra arresti për 12 persona.
Po ky grup kishte planifikuar atentate edhe kundër politikanëve, azilkërkuesve dhe myslimanëve.