Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka udhëtuar sot për në Gjermani, ku do të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë së Munihut, raporton Gazeta Express.
Kryeministri Kurti e ka ftuar sot Presidentin Thaçi për konsultim lidhur me pjesëmarrjen e përbashkët në Konferencën e Munihut, por Presidenti i vendit tashmë ka udhëtuar për në Gjermani.
“Në margjinat e Konferencës së Sigurisë së Munihut, presidenti Thaçi do të ketë takime të ndryshme bilaterale, ndër të tjera edhe me senatorët amerikanë Ron Johnson dhe Chris Murphy, me Ndihmëssekretarin e Departamentit të Shtetit, Philip Reeker, pastaj me Drejtorin Politik të Ministrisë së Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Richard Moore, si dhe me Ministrin e Jashtëm të Sllovakisë, Miroslav Lajçak”, thuhet në komunikatën për media nga Zyra e Presidentit.
Nga zyra e Presidentit thuhet se Presidentin Thaçi do të takojë edhe Emisarin e Presidentit Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenellin.
“Po ashtu, presidenti Thaçi në kuadër të kësaj konference do ta takojë edhe të dërguarin e posaçëm të Presidentit Trump për dialogun Kosovë – Serbi, ambasadorin Richard Grenell”, thuhet në njoftim./GazetaExpress/