Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bekë Berisha, në një intervistë për portalin Front Online, ka folur për zgjedhjet në këtë parti, pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryetari të këtij subjekti.
Berisha ka thënë se zgjedhjet në AAK pritet të mbahen brenda 4 muajsh, ku përveç kryetarit do të zgjidhen edhe organet e tjera të partisë.
“Është spekuluar shumë, as z.Haradinaj nuk është në krye të AAK-së sepse ne jemi në proces të zgjedhjeve, por as unë nuk jam anëtar i kryesisë d.m.th. në AAK kanë pushuar funksionet e të gjithë njerëzve deri në zgjedhje të reja që priten të përfundojnë për 4-5 muaj. Kjo nuk do të thotë që nuk do të jetë prapë z.Haradinaj kryetar pasi që ne aty e kemi pasur investimin tonë, në këto zgjedhje do të zgjidhet një kryesi e re me njerëz të rinj dhe do të vazhdojmë punët në parti”, ka deklaruar Berisha.
Ai ka folur edhe për mundësinë e kandidimit të tij për postin e të parit të AAK-së.
Berisha tha se është në dorën e delegatëve zgjedhja e të parit të AAK-së.
“Unë nuk kam menduar që të kandidojë për kryetarë të AAK-së, mirëpo gara është e hapur kështu që në sistemin e ri zgjedhor mund të kandidojnë të gjithë, është një listë e gjatë e njerëzve që deshën apo s’deshën je aty, vetëm mundësh me dalë dhe me paraqitë programin tënd dhe është në dorën e delegatëve zgjedhja e kryetarit pasi që është një delegat, një votë për tu zgjedhur kryetarë mund të ketë befasi, por mund të zgjidhet sërish z.Haradinaj”, tha Berisha.
Ramush Haradinaj pas zgjedhjeve të 6 tetorit u largua nga posti i kryetarit të AAK-së. Ai pati thënë se funksionin do ta ushtrojë si U.D i Kryetarit të AAK-së deri në zgjedhjet e reja të kësaj partie. /F.O./