Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur se cilat parti do të udhëheqin me Komisionet Parlamentare.
Kryesia e Kuvendit të Kosovës në mbledhjen e mbajtur ka ndarë edhe Komisionet Parlamentare në bazë të formulës që praktikohet tash e sa kohë nga Kuvendit i Kosovës.
Sipas këtij vendimi, tetë komisione do t’i takojnë partive në pushtet kurse gjashtë opozitës.
Kryeparlamentarja Vjosa Osmani, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ka thënë se pret nga Grupet Parlamentare, që deri të mërkurën t’i çojnë edhe emrat e anëtarëve, që Komisionet të votohen në Kuvend gjatë seancës plenare të së enjtes, raporton lajmi.net.
Sipas saj, Lëvizja Vetëvendosje do të udhëheq me Komisionin për Buxhet dhe Financa, Komisionin për Punë të Brendshme, Komisioni për Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së, Komisionin për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural.
Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës do ta udhëheqë Komisionin për Integrime Evropiane, Komisionin për Legjislacion, Komisionin për Arsim, Shkencë e Teknologji, si dhe Komisionin për Ndërmarrësi dhe Inovacion.
Partia Demokratike e Kosovës do të udhëheqë Komisionin për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, Komisionin për Mbikëqyrje të Financave Publike si dhe Komisionin për Mbikëqyrje të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të drejtojë Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë si dhe Komisionin për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale.
Nisma Socialdemokrate e ka Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal.
Ndërkaq Lista Serbe do ta drejtojë Komisionin për Të drejtat e Komuniteteve dhe Kthim.
Grupi Parlamentar 6+ do të udhëheqë komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore dhe për Persona të Pagjetur dhe Peticione.