Deputeti i Listës Serbe, Slavko Simiq, ka arritur në Kuvendin e Kosovës, ku po pritet të mbahet seanca për zgjedhjen e qeverisë së re
Pas pak do të fillojë seanca e Kuvendit të Kosovës, ku pritet të votohet Qeveria Kurti, ndërkaq në objektin e Kuvendit është parë të ketë arritur deputeti i Listës Serbe, Slavko Simiq.
Derisa kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, të dielën ka deklaruar se partia e tij nuk do ta përkrah qeverinë e re të Kosovës.
“Kemi mësuar nga mediat se është arritur njëfarë koalicioni dhe kemi vendosur të mos e përkrahim atë qeveri ngase i besojmë vetëm Beogradit”, ka thënë Rakiq, pas takimit me kryeministren serbe, Ana Bërnabiq, dhe shefin e zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Marko Gjuriq.
Ky i fundit tha se Lista Serbe do të marrë pjesë në institucionet e Kosovës, pavarësisht se nuk do ta mbështesë qeverinë.
“Nuk ka kushte që Lista Serbe ta votojë qeverinë e re, por do të marrë pjesë në institucione dhe do ta përmbushë mandatin e vet”, ka thënë Gjuriq. Megjithatë, nuk dihet nëse sot ka ndryshuar ky disponim.
Lista Serbe është subjekti më i madh politik që përfaqëson komunitetin serb në Kosovë.
Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë nënshkruar të dielën marrëveshjen për koalicionin e ardhshëm qeverisës në Kosovë./Gazeta Mejdani/