Më 3 shkurt do të votohet në Kuvendin e Kosovës, Qeveria e re e drejtuar nga Kurti.
Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, përcaktimin për seancë e ka bërë pa një marrëveshje me LDK-në, kësisoj duke rrezikuar edhe votat që ia sigurojnë atij postin e kryeministrit.
E pengesë për këtë koalicion po bëhet posti i kryeparlamentarit, i premtuar në fazën më të hershme të bisedimeve për LDK-në.
Pikërisht, Glauk Konjufca nga VV që mban aktualisht këtë pozitë, është pyetur sot nga gazetarët nëse e ka menduar dorëheqjen.
Ai para mediave ka thënë se tani në Kosovë nuk është koha e dorëheqjeve, por është koha e emërimeve.
“Nuk mendoj që në Kosovë është koha e dorëheqjeve, është koha e emërimeve”, ka thënë Konjufca para mediave.
I pyetur për marrëveshjen me LDK-në, ai ka thënë se një të tillë nuk ka ende, por është shprehur optimist se e njëjta do të arrihet.
Sipas tij, askush nuk mund ta ndalë formimin e qeverisë Kurti.
“Bisedimet po vazhdojnë, s’ka ende marrëveshje, por jam optimist që kjo do të bëhet, dhe askush nuk mund ta ndalë formimin e qeverisë Kurti për të cilën kanë votuar qytetarët”, ka thënë Konjufca.
Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme, lideri i VV-së, Albin Kurti ka pasur takim dhe me Listën Serbe, të cilët pritet të jenë në Qeverinë e tij, mirëpo që për të njëjtit Kurti më herët kishte pasur fjalë e akuza të rënda. /Gazeta Mejdani/