Pas takimit me kancelaren gjermane Angela Merkel kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dha një intervistë për Top Chanel në të cilën foli edhe për Mini-Shëngenin dhe kundërshtimin e Prishtinës zyrtare për t’u përfshirë në nismën rajonale.
Rama tha se Merkel mbështet Shengenin ballkanik, pasi kjo nismë rajonale konsiderohet shumë domethënëse.
“Ajo [Merkel] e kupton shumë mirë dhe e di shumë mirë se çfarë hapi i jashtëzakonshëm është bërë në raport me Serbinë duke e bindur Serbinë që të heqë dorë nga vetoja ose nga refuzimi për të lejuar dhe lëvizjen e lirë të njerëzve që do të thotë, lëvizja e lirë e njerëzve mes Shqipërisë dhe Kosovës. Gjë që për fat të keq në Prishtinë nuk duan ta kuptojnë dhe kujtojnë se duke e kthyer këtë në një debat se kush është tradhtari dhe kush është patrioti po i bëjnë ndonjë nder apo të mirë Kosovës”, u shpreh Rama.
“Jo e vërteta është që po e dëmtojnë Kosovën, po e largojnë atë nga miqtë dhe partnerët e mëdhenj të saj dhe po ja ulin në mënyrë krejt të padrejtë reputacionin e madh që Kosova fitoi pas marrjes së të drejtës për të qenë një shtet i lirë dhe sovran. Kështu ne do të vazhdojmë me procesin dhe patjetër që nxitja e gjithanshme edhe nga BE edhe nga Gjermania nga SHBA pa diskutim do të jetë që procesi të ecë më tutje”, shtoi ai.
Rama ka folur edhe për marrëveshjen për hapjen e linjës ajrore dhe atë hekurudhës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e emisarit të presidentit amerikan, ambasadorit Richard Grenell, i cili së fundi ishte për vizitë në Kosovë dhe Serbi.
“Dhe e fundit fare sigurisht që ka një të dhënë domethënëse të ditëve të fundit që është shtysa e fortë e ambasadorit Grenell duke i detyruar palët dhe madje KFOR të ulet në tavolinë me Beogradin për të nënshkruar linjën e lëvizjes në linjën ajrore Prishtinë–Beograd dhe më pas në hekurudha që u përshëndet me të drejtë nga ata të cilët ndërkohë nuk lënë baltë pa hedhur mbi një proces që e kam nxitur unë dhe që shkon në të njëjtin drejtim. Dhe kjo është diçka që përfitoj nga rasti ta them edhe pse nuk ishte pjesë e drejtpërdrejt e diskutimeve të kancelares që është për të ardhur keq madje për të qenë të dëshpëruar me këtë dyfytyrësi që nga një anë shfaq buzëqeshjen të zgjatur servile dhe nga ana tjetër shfaq dhëmbët kërcënues të një politike provinciale që për disa vota dhe për një popullaritet të përkohshëm është gati të hedhë baltë dhe të krijojë hendek me vendin si motër, si vëlla pjesë e të njëjtit komb”, ka thënë Rama.