Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është shprehur i lumtur për linjën ajrore Prishtinë – Beograd. Ai ka zgjedhur ta përmend homologun e tij, Ramush Haradinajn, të cilin para pak ditësh e paditi, duke i thënë atij se paqja nuk arrihet me mjete lufte e as me popullaritetin që ta sjellin ato mjete.
Rama thotë se marrëveshja për fluturime Prishtinë – Beograd e ka gëzuar atë dhe e sheh si hap pozitiv për qarkullim të njerëzve dhe të mallrave në Ballkan.
“E përshëndes me kënaqësi marrëveshjen e sotme për fluturimet Prishtinë-Beograd, që siç tha Sekretari i NATO-s është “një hap i rëndësishëm për qarkullimin më të lehtë të njerëzve e mallrave në Ballkanin Perëndimor”🙏Ka ende shumë hapa për të bërë me vizion e kurajo në atë rrugë!”, ka shkruar Rama në Twitter.
E në shkrimin e tij, Rama përmend kryeministrin në detyrë të Kosovës, ndaj të cilit ka paraqitur padi. Ai thotë se shumë mirë që e përshëndeti Ramushi, pasi paqja nuk arrihet me luftë.
“Shumë mirë bëri edhe Ramushi që e përshëndeti këtë hap👍 Paqja është tejet e vështirë, por në asnjë rast ajo nuk fitohet me mjetet e luftës dhe popullariteti i përkohshëm që sjellin nganjëherë ato mjete, nuk i sjell asnjë hajër popullit e vendit👎”, thuhet në postimin e Ramës.