Agim Veliu, nënkryetari i LDK-së sot kishte deklaruar se marrëveshja me VV-në ende s’është gati dhe se ka ende punë për tu bërë, shkruan Gazeta Mejdani.
Pas tij, nënkryetari tjetër i LDK-së, Lutfi Haziri tha se pas zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, është imponuar një situatë e re e cila kërkon durim që bisedimet të shteren deri në atë fazë sa të dy palët ta arrijnë një marrëveshje.
Sipas tij, tani për tani janë duke folur për detaje dhe opcione, përndryshe, janë shumë afër marrëveshjes.
Ai tha se ekipet e të dyja partive janë duke punuar në arritjen e një koalicioni qeverisës.
Haziri tha se janë duke u diskutuar të gjitha opsionet pas situatës së krijuar më 26 dhjetor, kur Glauk Konjufca i LVV-së është zgjedhur në krye të Kuvendit të Kosovës.
Sa i përket letrës së presidentit Thaçi dërguar LVV-së rreth dërgimit të emrit të mandatarit për kryeministër, Haziri tha se presidenti duhet të pres derisa t’i shkojë emri sipas procedurave.
I pyetur se a do të kërkojë LDK që pozita e kreut të Kuvendit të rinegociohet, ai tha se marrëveshja duhet të shihet si pako dhe si e tillë duhet t’i definojë përgjegjësitë.
Kurse, i pyetur se kur do të nënshkruhet marrëveshja, Haziri u shpreh se ajo është përgjigje 1 milion dollarëshe./Gazeta Mejdani/