Sa herë që qytetarët e Kosovës blejnë diçka, kusuri i centave për ta duket shpeshherë i pavlefshëm. Kjo fillon zakonisht nga mos kthimi i kusurit 1,2 e 5 cent, që në shikim të parë mund të duket pak, por nga kjo tregtarët po pasurohen çdo ditë e më shumë.
Edhe pse në Kosovë është edhe Ligji për Mbrojtjen e Konsumatorit i cili e rregullon mbrojtjen e së drejtës themelore pranë blerjes së prodhimeve dhe shërbimeve, e ndër to theksohet “E drejta për mbrojtjen e interesave ekonomike të konsumatorëve dhe e drejta e mbrotjes juridike të konsumtorit”, ai nuk po funksionon sa duhet.
Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu për Indeksonline tha se në Kosovë flitet shumë për ligjet e miratuara në parlament, mirëpo problem kryesor është zbatimi i tyre, në veçanti ligji për konsumatorin ku definitivisht qytetarët konsumatorë janë të pambrojtur në forma të ndryshme, siç është kthimi i kusurit qoftë edhe 1,2 e 3 cent.
Madje në këtë mënyrë konsumatori po provokohet, po ofendohet duke mos iu kthyer kusuri, e duke e detyruar që ai ta kërkojë atë.
Selatin Kaçaniku nga Organizata “Konsumatori” tha se me kalkulimet e bëra nga ta, rezulton se deri në 50 milionë euro në vit tjetërsohen duke ia mohuar të drejtën për kusur qytetarit konsumator.
Ai çështjen e kusurit e cilësoi si një “produkt” të një ligji politiko-biznesor, ku me këtë po shkelen të drejtat e konsumatorit, po injorohet ai dhe po i prekin dinjitetin, shkruan Indeksonline.
“Në si shqiptar kemi shumë krenari dhe të lypim nuk duam, andaj ata që pretendojnë të na bëjnë lypsar, e kanë gabim, dhe faktikisht këtu e bëjnë gabimin e dytë”, tha Kaçaniku.
Sipas Selatin Kaçanikut e vetmja zgjidhje që konsumatori të jetë i mbrojtur është që të ketë sa më shumë inspektorë në teren, ndërsa Safet Gërxhaliu përveç kësaj shtoi se edhe kampanjat vetëdijesuese janë të domosdoshme.
E për krejt këto, bizneset po dalin me arsyetime kinse Banka Qendrore e Kosovës nuk po i furnizon ato me monedha të imëta.
Indeksonline ka pyetur BQK-në në lidhje me sasinë e monedhave të imëta që janë në qarkullim, por nuk ka marrë përgjigje.
Për fat të keq shoqëria kosovarë është shndërruar në eksperiment jo veç me kusur, por edhe në forma tjera qytetari është duke u dëmtuar çdo ditë e më tepër./Indeksonline/