Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në videon e fundvitit ka folur për Kosovën dhe për moskrijimin e Qeverisë nga lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, i cili i ka fituar zgjedhjet dhe kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, të cilët deri tash nuk u pajtuan për një marrëveshje qeverisëse., transmeton Gazeta Metro.
Rama, ndërsa ka folur për Mini Shengenin rajonal, ka thënë se nuk është një Jugosllavi e re, siç e thonë, sipas tij, ata që nuk arrijnë ta bëjnë një qeveri, pasi më rëndësi kanë ndarjen e karrigeve.
“Shengeni Rajonal nuk është një Jugosllavi e re, siç thonë ata që nuk bëjnë dot as një qeveri me dy parti, në Kosovën që e duan aq shumë. Sepse (mesa duket kur vjen puna tek bashkimi i forcave për ta qeverisur Kosovën, ndarja e karrigeve ka më shumë rëndësi se Kosova e mbetur në udhëkryq, pa strategji e pa qeveri)”, ka deklaruar Rama në video-adresimin e bërë për fundvit.
Ai më tej thotë se ata (Kurti e Mustafa) dhe të tjerë janë mbledhur për ta sulmuar atë.
“Po shyqyr janë të bashkuar bukur mirë, pa dallim partie e madje edhe me do ustallarë në Tiranë, për ta hedhur Kosovën kundër ‘vëllaut të Vuqiqit’ në Shqipëri, duke ia prishur gjakun dhe errur sytë njerëzve në Kosovë, me dokrra patetike e me rrena patriotike”, ka deklaruar Rama.