Sipas Aleancës Kosovare të Bizneseve, vitit 2019 në Kosovë, është vlerësuar si vit i deficitit industrial, tregtar dhe suficit i madh i forcës së punës.
Në konferencën përmbyllëse të vitit para mediave, në të cilën mori pjesë edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, u tha se ende rreth 89 për qind Kosova konsumon produkte të huaja, ndërsa vetëm 11 për qind janë eksporte, gjë që ka bërë “që të varemi shumë nga importi”.
Kreu i AKB-së, Agim Shahini, tha se partneri kryesor tregtar mbetet edhe për vitin 2019 Bashkimi Evropian, kurse partneri kryesor në Ballkan ka qenë Shqipëria, “falë taksës së vendosur nga Qeveria ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës”.
Sipas Shahinit, ka pasur disa arsye se ka rënë numri i investitorëve të jashtëm në Kosovë, e ndër to kanë qenë edhe dialogu me Serbinë, nga i cili siç tha ai, është kuptuar sikur në Kosovë do të ketë trazira; Gjykata Speciale që ka ndikuar në imazhin jo të mirë të vendit si dhe dorëheqja e kryeministrit Haradinaj në korrik të këtij viti.
“Për këtë Gjykatë (Speciale) në faqet e para të mediumeve ndërkombëtare është shkruar vazhdimisht, ku është thënë për Kosovën se atje po merren në pyetje njerëz elitarë të luftës që kanë sjellë paqen për krime gjoja të lutës. Kjo për investitorë të huaj ka qenë lajm zhgënjyes”, tha Shahini.
Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, tha se pas vendosjes së taksës 100 për qind ndaj produkteve serbe, Kosova për herë të parë e ka zbuluar pozicionin apo kapacitetet e saj në ekonomi. Ai tha se 2019-ta nuk ka qenë vit i lehtë për ekonominë e vendit, teksa si të arritur të madhe e konsideroi “implementimin e ligjit për Trepçën, e cila tani është e gatshme për të bërë biznes”.
Duke folur për rritjen e importit të mallrave nga Shqipëria i cili ka arritur në 70 milionë, Haradinaj tha se po të ishte një qasje më e hapur e ndërsjellë (Kosovë-Shqipëri), kjo gjendje do të ishte dukshëm edhe më e mirë.
“Është gabim i madh vendosja e taksës në rrugën e kombit edhe e çmimit për skaner për një transportues me 42 euro. Kjo ka rezultuar me 13 milionë euro. 13 milionë euro taksë për shkëmbimet mes Kosovës dhe Shqipërisë, pra është vendosur një dënim në marrëdhëniet e Kosovës dhe Shqipërisë prej 13 milioni euro për qarkullimin e lirë të njerëzve dhe të mallrave. Sikurse këto 13 milionë euro t’i investonim në lehtësirat e qarkullimit të ndërsjellë jam i sigurt se prej atyre 450 milionëve me dokumentacion që i mungojnë Serbisë eksport, Shqipëria do të mund ta rriste shumë (eksportin)”, tha Haradinaj.
Haradinaj gjithashtu në prag të votimit për qeverinë e re, bëri thirrje që qeveria e ardhshme të mos e heqë taksën, apo ta heqë vetëm atëherë kur shtetësia e Kosovës të njihet nga Serbia.
Në këtë konferencë gjithashtu u tha se taksa ka rezultuar me punësimin e rreth 5 mijë të rinjve, ndërsa u kritikua puna e universiteteve private për shkak të “mospërgatitjes adekuate të të rinjve për tregun e punës”.
I pyetur nga AA për gjendjen në arsim për vitin 2019, Haradinaj tha se arsimi vazhdon të jetë problematik për vendin, për shkak të “mungesës së një ekspertize dhe mungesës së kompetencave”. Ai tha se janë disa probleme që duhet të trajtohen me sukses ndërsa për këtë “qeveria e ardhshme do të ketë mjaft punë dhe do të jetë sfidë e madhe edhe për ta”.
Discussion about this post