Mëria ndaj njëri -tjetrit është shfaqur edhe muajin e kaluar pas tërmetit në Shqipëri kur Edi Rama s’po ia hapte telefonin Ramush Haradinajt.
Gjithcka kishte nisur në Gjermani kur Ramush Haradinajt po i kërkohej heqja e taksës nga liderë botërorë. Haradinaj aty ia kishte thënë një fjalë të rëndë Ramës, e pastaj sulmet ndaj njëri-tjetrit s’janë ndalur duke vazhduar edhe mbrëmë.
Një fotografi me duart mbi flamurin kuq e zi është pamja e fundit ku Ramush Haradinaj e Edi Rama shihen pranë njëri tjetrit e të buzëqeshur. Raportet mes dy kryeministrave që nga Samiti i Berlinit i mbajtur në prill të këtij viti kanë shkuar vetëm duke u përkeqësuar.
Dy politikanët tashmë në çdo studio televizive sulmojnë njëri tjetrin, ndërkohë kur iu jepet rasti edhe injorohen, duke e lënë Gjykatën si të vetmin vend ku mund të takohen.
Haradinaj tashmë kur shkon në Shqipëri takohet vetëm me presidentin Ilir Meta, ndërkohë Edi Rama në organizime në Shqipëri fton Hashim Thaçin, por edhe ky i fundit ka vendosur të mos i përgjigjet.
Haradinaj e kishte akuzuar Ramën se po merrte pjesë në një plan për ndarjen e Kosovës , ndërkohë kreu i qeverisë shqiptare e cilësonte Haradinajn si gënjeshtar dhe kishte paralajmëruar edhe padi në gjykatë.
Rama ndërkohë ndante edhe pjesë nga diskutimet në Berlin gjatë prillit, duke e akuzuar Haradinajn se i ka lënë kosovarët pa viza për shkak të insistimit për taksën.
Një gjë të tillë Rama e ka përsëritur edhe në një intervistë të dhënë mbrëmë në Klan Kosova. Sipas kreut të qeverisë shqiptare, Kosova ia ka parë sherrin vendimit dhe kokëfortësisë së Ramush Haradinajt për taksën.
Rama thotë se po të pranonte Haradinaj ofertën e Macronit për pezullim të taksës për katër muaj, sot kosovarët do të lëviznin pa viza.
Sipas kreut të qeverisë shqiptare, taksën e pagoi politikisht Kosova ndërsa financiarisht Serbia.
“Kosova e pagoi shtrenjtë tarifën 100 %. E pagoi më shtrenjtë se Serbia. Serbia e pagoi pjesën e vetë që ishte financiare, por politikisht Serbia fitoi nga tarifa, sepse u shit si viktimë”, është shprehur Rama të enjten.
Sipas Ramës tarifa ishte një instrument shumë i mirë për të fituar diçka, por jo për të bllokuar procese dhe siç thotë ai “ për të kënduar si gjel maje plehu në Prishtinë”
“Ndërkohë tarifa ishte fantastike si instrument për të fituar diçka, por jo si qëllim për të bllokuar gjithë planetin, dhe për të kënduar si gjeli maje plehut në Prishtinë”, ka shtuar tutje ai.
Kreu i PS’së, ka thënë se nëse Haradinaj do të pranonte ofertën e Macronit për të pezulluar taksën, sot kosovarët do të lëviznin të lirë nëpër Schengen.
“Ishte një mundësi e artë në Berlin. Kur Macron i tha Ramushit më jep katër muaj dhe kësaj (Merkelit). Mos e hiq tarifën, suspendoje katër muaj, dhe nëse nuk ndodh asgjë. Dhe sot ti e suspendon tarifën, unë e heq veton për katër muaj për vizat. E ku kishte më mirë. Sot do lëviznit të lirë në gjithë Evropën, nëse tarifa do të ishte përdorur si instrument dhe jo si qellim”, ka shtuar tutje kryetari i qeverisë shqiptare.
Rama ka vazhduar akuzat në drejtim të Haradinajt, duke thënë se taksën e ka përdorur për vota dhe për të treguar se kush është më patriot se tjetri.
“Kështu është kur bëhet politikë duke i pasur sytë miop”, ka thënë ndër të tjera Rama./GazetaExpress/
Discussion about this post