Pavarësisht se kaluan më shumë se dy muaj nga zgjedhjet, në vend ende nuk është arritur të formohet koalicioni qeverisës.
Lëvizja Vetëvendosje si dhe Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk po arrijnë të vendosin lidhur me këtë koalicion, që pritet të qeverisë me vendin.
Lidhur me gjithë këtë, i pari i LDK-së, Isa Mustafa tha se partia e tij mbetet e përkushtuar që të vazhdojë rrugën përpara që të bëhen të gjitha përpjekjet e arritjes së këtij koalicioni.
Sipas tij ky koalicioni nuk duhet assesi të shikohet si koalicion rival dhe politik, por i një partneritet që do të jetë i destinuar për të bërë ndryshime të domosdoshme në qeverisjen më të mirë të vendit.
“Në Këshillin e Përgjithshëm u tha se pjesë e marrëveshjes duhet të jenë të gjitha pozitat, me të cilat do të sfidohet ky koalicion gjatë këtyre katër viteve dhe që trajtimi i këtyre pozitave duhet të jetë në harmoni me interesin tonë, që të kemi koalicion që zgjatë 4 vjet, apo ndoshta edhe tetë vjet më vonë. Dhe assesi koalicion që mund të sfidohet në momente të caktuara, qoftë nga zgjedhja e presidentit apo në momentet tjera sfiduese për këtë koalicion”, tha Mustafa, shkruan Indeksonline.
Madje Mustafa tha se nuk dëshiron që të ndodhë si në vitin 2014, ku koalicioni u arrit pas gjashtë muajve.
“Në 2014 kemi arrit marrëveshjen pas gjashtë muajve dhe s’kisha dashtë që ky koalicion të lidhet pas 6 muajve, por të lidhet para datës 26 të këtij muaji, në mënyrë që të jetë e suksesshme seanca e Kuvendit të Kosovës. Çështja e Presidentit është një nga çështjet që duhet të diskutohet, sepse është një nga pozitat që do të sfidohemi gjatë kësaj periudhe dhe konsideroj se nuk është çështja që duhet domosdoshmërishtë të na bllokojë, sepse është çështje e zotimit, por ne do të vazhdojmë të punojmë me VV-në, do të verifikohemi me ta se a jemi serioz apo jo e nuk shoh arsye që VV nuk do të jap besimin ndaj partnerit të koalicionit, sepse ne kemi këtë besim për t’i dhënë kryeministrinë dhe nuk shtrojmë pyetje se a duhet të jetë apo jo. Takim i radhës do të jetë në momentin kur na ftojnë, jemi të gatshëm dhe kemi qenë të gatshëm edhe këto ditë. Në moment që na ftojnë ne do të ulemi.”, shtoi ai.
Discussion about this post