Nga burime brenda Policisë së Kosovës, Sakte.net ka mësuar se tre të arrestuarit në Klinë, të premten në mbrëmje rreth orës 22:45 janë Rinor Sejdia, Driton Bardheci dhe Pajtim Berisha.
Sipas raportit policor, thuhej se të njëjtit kishin bërë disa grafitë nëpër muret e këtij qyteti në të cilët ishin munduar që t’i portretizonin liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurtin bashkë me Xhelal Sveçlën si dhe kontroversin Marko Gjuriq.
Pasi janë arrestuar, ata janë dërguar për në stacionin policor për intervistim, ndërsa më pas janë liruar si dhe rasti ka shkuar në procedurë të rregullt.
“Klinë 13.12.2019 – 22:35. Janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj K-Shqiptar, pasi që të njëjti kishin bërë disa grafite. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit të dyshuarit janë liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhej në njoftimin e policisë.
Grafite të njëjta janë shfaqur edhe në qytete të tjeta të Kosovës, në Lipjan dhe Prishtinë.
Nga AAK nuk kanë komentuar nëse kjo parti qëndron prapa këtyre grafiteve edhe në qytete të tjera, pasi që kryetari i rinisë së kësaj partie, Driton Bardheci është arrestuar nga Policia e Kosovës në Klinë.
Konferenca rajonale ku merrnin pjesë përfaqësues të të gjitha partive politike të rajonit ishte mbajtur në Tiranë. Një foto e shkrepur në darkë pune ku shfaqeshin Xhelal Sveçla, Ardian Gjini, Arban Abrashi dhe Marko Gjuriq kishte zgjuar reagime të shumta në Kosovë.
Pas publikimit të kësaj fotografie, Gjuriq e kishte quajtur Sveçlën seperatist dhe njeriu më radikal i Albin Kurtit, ndërsa në intervisten “Saktë”, Xhelal Sveçla deklaroi se në takim i kishte thënë Gjuriqit se ai përfaqëson një pushtet kriminal që mohon masakrat, ndër të cilat edhe atë të Reçakut ku vetë Sveçla është dëshimtar i masakrës./Sakte.net
Discussion about this post