Kanë vazhduar debatet e përplasjet mes deputetëvë te LVV dhe LDK. Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shkëmb Manaj, ka propozuar një ofertë për Lëvizjen Vetëvendosje për arritjen marrëveshjes së koalicionit qeverisës.
Manaj, përmes një postimi në Facebok, ka bërë një krahasim të ndarjes së pushtetit nga koha e presidentit historik Ibrahim Rugova, ku partia e parë që ka qenë LDK e ka pasur postin e të parit të shtetit dhe kryetarin e Parlamentit.
Sipas tij diferenca mes VV-së dhe LDK-së është me vetëm një deputet.
Postimi i plotë i Manajt:
“LDK në kohën e Ibrahim Rugovës në vitin 2001, si partia e parë ka pasur 47 deputetë, ndërsa partia e dytë (PDK) ka pasur 26 deputetë, 21 deputetë me pak se LDK.
Në këtë kohë, LDK ka udhëhequr Parlamentin dhe Presidencën, ndërsa Kryeministrin e ka pasur partia e dytë e cila i ka pasur 21 deputetë me pak se partia e parë.
Tani VV ka 29 deputetë si partia e parë dhe LDK ka 28 deputetë si partia e dytë, diferenca është vetëm 1 deputet.
Nëse z. Haki Abazi, ju ka ba marak që ky kombinim të jetë model i ndarjes së përgjegjësive shtetërore tani, atëherë LDK e ka dhënë edhe këtë ofertë që LDK si partia e dytë ta marr Kryeministrin, ndërsa VV si partia e parë ta merr Presidentin dhe Kryetarin e Kuvendit ( edhepse nuk i ka 47 deputetë sa i ka pasur LDK kur i ka pasur këto dy pozicione).
Nëse doni kështu, nesër e arrijmë këtë marrëveshje!”, ka shkruar Manaj.
Ndryshe, dje janë zhvilluar debate e përplasje në rrjetet sociale, mes deputetëve të LVV, Arbëria Nagavci e Haki Abazi të LVV me deputeten e LDK-së, Hykmete Bajrami e së fundi edhe Shkëmb Manajt, që kanë të bëjnë me çështjen për të cilën assesi s’po gjejnë kompromis dy partitë, e që është posti i Presidentit, për të cilin po insiston LDK që ta marr pas përfundimit të mandatit nga Hashim Thaçi.
Discussion about this post