Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje mbajtën sot takimin e radhës për mundësinë e një marrëveshje për koalicion, mirëpo në takim nuk mori pjesë Vjosa Osmani, e në vend të saj ishin prezent Lutfi Haziri dhe Agim Veliu.
Në një përgjigje për gazetën “Bota sot”, analisti politik, Faik Krasniqi tha se nuk qëndron fakti i konfliktit Veliu-Osmani që kjo e fundit nuk po merre pjesë, mirëpo në LDK akoma vendos garda e vjetër.
Ai thotë se LDK-ja e vendosi Vjosa Osmanin për kandidate për kryeministre për të mos përsuar debakël në zgjedhje.
“Në negociata me LVV për krijimin e Qeverisë, Vjosa Osmani është dashur të jetë në krye të negociatave, sepse LDK falë saj doli e dyta në zgjedhje. Por në LDK akoma vendos garda e vjetër e saj me në krye Mustafen, Veliun dhe Hazirin. Tashme çdo votues i LDK-se e ka kuptuar qe kandidimi i Vjosa Osmanit ka qenë që LDK mos të pësoj debakël në këto zgjedhje. Mos pjesëmarrja e saj në negociatat LVV-LDK nuk ka të bëj me përplasjen Veliu-Osmani, por në LDK është kjo treshe që vendos për gjithçka, dhe të tjerët janë vetëm spektator. Edhe lufta për postin e presidentit po bëhet për të akomoduar njërin nga këta të lartpërmendurit. Mos te harrojmë edhe një gjë, në LDK është një luftë e brendshme për kreun e partisë. Vjosa Osmani gëzon simpatinë e elektoratit te LDK, kurse Veliu dhe Haziri si veteranë të kësaj partie kanë mbështetjen e degëve, mbështetje interesi”, tha Krasniqi.
Discussion about this post