Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk po mund të bien dakord për pazaret politike dhe ndarjen e ministrive e pozitës së Presidentit, andaj këto probleme kanë çuar në një bllokadë të bisedimeve mes tyre.
Një nga ofertat më të fundit nga Lidhja Demokratike e Kosovës për partinë e Albin Kurtit është ndërrim pozicionesh, pra nëse VV’së i duket shumë kërkesa nga Isa Mustafa, ata rekomandojnë që të ndërrohen.
Këtë po e thotë anëtari i LDK’së, Avdullah Hoti, ku ka deklaruar se posti i presidentit është pjesë e marrëveshjes, duke shtuar se ka qenë në pjesën e ndarjes së përgjegjësive dhe iu është lënë liderëve që ta diskutojnë.
Hoti thotë se një çështje e tillë nuk është diskutuar në grupet punuese por ka hyrë në pjesën e marrëveshjes.
“Te pjesa e ndarjes së përgjegjësive ka qenë e liderëve politik. Ende jemi brenda afatit kushtetues, presidenti ende nuk e ka ftuar seancën dhe jemi ende në kohë. Edhe pse duhet të ketë një besim më reciprok në mes të partnerëve dhe kujdes më të madh sepse kur qeverisim së bashku ne do të ballafaqohemi me situata të ndryshme”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se nëse Vetëvendosjes i duket që ata po kërkojnë shumë atëherë mund të ndërrohen me LDK-në, në mënyrë që ata ta marrin pozitën e presidentit, kryeparlamentarit dhe pesë ministri, ndërkaq LDK të marrë kryeministrin dhe pesë ministri.
Hoti tutje nuk ka dashur të komentojë nëse pozita e presidentit është pika e ndarjes me Vetëvendosjen por shton se duan përgjegjësi të barabarta.
“Kryeministri është pozita kryesore në vend për nga fuqia ekzekutive. Është praktikë tash e 20 vjet në Kosovë që njëri e ka kryeministrin e tjetri e ka presidentin. Besoj që kjo është një marrëveshje fer. Njëri nga nënkryetarët tanë para disa ditëve tha se nëse besojnë që ka më shumë përgjegjësi njëra munden të ndërrohen”, ka thënë Hoti.
Discussion about this post