Ditëve të fundit janë “acaruar” marrëdhëniet ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kjo gjendje ka ardhur si pasojë e mos gjetjes së një gjuhe të përbashkët ndërmjet krerëve të këtyre dy partive për nënshkrimin e një marrëveshjeje për koalicionin qeverisës.
Nga Vetëvendosje është deklaruar se LDK ka kërkuar pesë (5) ministri, Kryeparlamentarin, si dhe Presidentin. Për këtë çështje VV-ja nuk është pajtuar.
Ndërsa, gjatë këtyre ditëve vendin e ka vizituar një delegacion nga Bashkimi Evropian, i kryesuar nga kryetari i Grupit të EPP-së në Parlamentin Evropian, ManfredWeber, i cili ishte i shoqëruar nga nënkryetari i tij dhe deputeti i PE-së, Andrey Kovatchev, asistentja e tij, Nina Tavcar, shefja e Misionit të BE-së në Kosovë, Natalia Apostolova dhe zëvendës shefi i kësaj zyre, Riccardo Serri.
Ndërkaq, kryetari i Grupit të EPP-së në Parlamentin Evropian, Manfred Weber, gjatë të mërkurës ka zhvilluar takime të ndara me Kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa dhe me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin.
Weber interesohet për zgjedhjet
Pas takimit me udhëheqësit e LDK-së, Weber ka deklaruar për media se vullneti i qytetarëve është shprehur në zgjedhjet e 6 tetorit dhe është i qartë.
“Për mysafirët apo të huajt nuk është e mirë të intervenojmë në partitë vendase dhe është çështje e tyre të gjejnë një gjuhë të përbashkët për të ardhmen, vullneti i qytetarëve është i qartë kështu zgjedhjet, formimi i parlamentit është i qartë, qytetarët e shprehën vullnetin e tyre për të ardhmen dhe tani politika ka një përgjegjësi të madhe të garantojë stabilitet për vendin dhe në tërë rajonin nevojitet stabilitet si gjëja më e rëndësishme që t’u japin popullit perspektivë. Mesazhi për këtu në Kosovë, por edhe në rajon është shumë krucial për gjeneratat e reja që t’u japin perspektivë, sepse njerëzit po e braktisin vendin, t’u japin popullit perspektivë të vërtetë në rajon dhe është detyrë e madhe në nivel evropian për të rimarrë nisma të reja që t’ju tregojmë gjeneratave të reja të qëndrojnë, të punojnë për vendin tuaj, sepse ju keni perspektivë”, ka thënë Weber për “Bota sot”.
Ndërsa, përmes një komunikate për mediat tëLëvizjes Vetëvendosje, thuhet se Weber është interesuar për rezultatin e bisedimeve me Lidhjen Demokratike, por nuk janë dhënë detaje tjera sa i përket takimeve më LDK-në.
“Ai u interesua për rezultatin e bisedimeve me Lidhjen Demokratike dhe theksoi se rajoni i Ballkanit Perëndimor, ndryshe nga zhvillimet e fundit ku disa shtete shprehën qëndrime të caktuara për hapjen e negociatave është rajon me prioritet të lartë për BE-në”, thuhet në komunikatën për media.
Vizitën e delegacionit evropiane të kryesuar nga Weber, njohësit e çështjeve politikee lidhin me zhvillimet e fundit politike. Ata shprehen se Weber ka ardhur me agjendë për t`i dhënë shtytje LDK-së dhe VV-së që të nënshkruajnë marrëveshjen për të krijuar qeverinë e re nga këto dy parti.
Lidhur më këtë çështje, zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Elezaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka shprehet se Weber ka ardhur me agjendë të caktuar.
“Po, vet vizita sot në Kosovë e kryetarit të Grupit të EPP-së në Parlamentin Evropian, z. Manfred Weber, dhe takimi i tij i parë me kryetarin e LDK-së, si anëtare e këtij Grupi, Isa Mustafën, flet qartë se ai kishte ardhur me agjendë të caktuar, së pari për të dëgjuar më për së afërmi pikëpamjet dhe kërkesat e LDK-së për koalicion me LVV-je, dhe së dyti, nëse ka hapësirë të ndihmojë personalisht në përafrimin e qëndrimeve midis LDK-së dhe LVV-je që të arrijnë marrëveshjen për bashkëqeverisje”, ka thënë ai për “Bota sot”.
Discussion about this post