Xhiroja e 16-të e Ipko Superligës së Kosovës i solli tri ndeshje interesante që nisën në orën 13:00. Vëmendjen më të madhe e mori përballja Drita – Llapi, që përfundoi me fitore të gjilanasve. Fitore shënoi edhe Flamurtari kundër Feronikelit dhe Drenica kundër Vushtrrisë.
Drita 2:0 Llapi
Vëmendjen kryesore nga ndeshjen që u zhvilluan sot në orën 13:00 në kuadër të javës së 16-të të Ipko Superligës së Kosovës e pati përballja që u zhvillua në Gjlan, mes Dritës dhe Llapit, dy kandidate për titullin e kampionit këtë edicion, raporton Gazeta Express.
Drita e fitoi me dy gola afër fundit të ndeshjes këtë përballje kundër Llapit, që tani mbetet dhjetë pikë larg liderit Ballkanit. Në anën tjetër, Drita tash ngrihet në pozitën e dytë në tabelën, mbi rivalin e qytetit, Gjilanin që ka po aq pikë – nga 31.
Pjesën e parë e dominoi Llapi, ndërsa pjesën e dytë Drita, tentimet e vazhdueshme të së cilës u shpërblyen me dy gola. Fillimisht shënoi Betim Haxhimusa në minutën e 75-të, pastaj Erjon Vucaj në minutën e 90+2-të.
Flamurtari 2:1 Feronikeli
Flamurtari siguroi fitore në shtëpi me rezultat 2:1 kundër kampionit në fuqi të Kosovës, Feronikelit, që tashmë mbetet 11 pikë larg liderit, Ballkanit.
Feronikeli kishte kaluar në epërsi në këtë përballje qysh në minutën e pestë, përmes golit të Da Silvas, ndërsa rreth 25 minuta më vonë i ishte anuluar një gol tjetër për shkak të një pozite jashtë loje.
Por, klubi kryeqytetas u kthye fuqishëm në pjesën e dytë, kur arriti ta përmbysë rezultatin falë dy golave të shënuara nga Shend Kelmendi i Flamurtarit.
Drenica 1:0 Vushtrria
Fitore në shtëpi shënoi sot edhe Drenica, e cila mori tre pikët falë epërsisë minimale kundër Vushtrrisë, të cilën e siguroi përmes golit të Përparim Osmanit në minutën e 73-të të ndeshjes.
Përderisa Drenicës i shtohen këto tre pikë pikë për të mbetur jashtë zonës së rrezikut për të rënë nga Ipko Superliga, Vushtrria e gjen veten në vështirësi./Gazeta Mejdani/
Tabela momentale e Ipko Superligës së Kosovës:
Discussion about this post